November 27, 2024

Godet këngëtari i mirënjohur shqiptar: Do ta braktis Shqipërinë

Romantik në muzikë dhe rebel në jetë, Endri Prifti i shpreh me zë të lartë të vërtetat e jetës së tij dhe pakënaqësitë nga realiteti e deri te pushteti.

Si një artist me shpirt të lirë, ai zbulon arsyen pse bashkë me vëllanë e tij, Stefin, realizuan një këngë dedikuar emigrantëve.

Për luftën kundër klaneve në muzikë, dashurinë që ky realitet e ka nxjerrë nga qarkullimi, sipas tij, etjen e gjithkujt për para, planin për të lënë Shqipërinë së shpejti e shumë sekrete të tjera nga jeta private, Endri i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

“Emigranti”, kënga juaj e re këtë verë, një dedikim për ata që ikën nga Shqipëria dhe të tjerët që mund të vijnë të jetojnë këtu. Çfarë ju shtyu të bëni një këngë të tillë?

Ne shkruajmë për realitetin e jetës. Çdo këngë e jona është jeta e të gjithëve ne, nga çdo moment i jetës sonë. Ka këngë të ilustruara me vargjet e realitetit të jetës, pra, historitë tona i përkasin çdo njeriu. Nga u nisëm për këtë këngë? Nga jeta jonë, nga pritja dhe miqësia e patreguar dot, e miqve tanë jashtë e në gjithë botën. E titulluam “Emigranti” sepse kështu është, por flet për arritjet dhe se ku kanë arritur këta emigrantë, në majat më të larta të bizneseve etj. Të gjithë këta tashmë janë me pasaportat e vendeve ku jetojnë dhe kanë lidhur jetët me familjet e tyre. Ideja e fundit më lindi në Chicago, në një festë të papërsëritshme me miqtë tanë specialë. Kështu lindi kënga “Emigranti”, dedikuar gjithë emigrantëve në botë dhe vlerësuar për gjithë arritjet që kanë pasur deri më sot.

Ti vetë e ke provuar emigrimin dhe nëse po, çfarë kujton sa u takon punëve që bëje, parave që fitoje dhe grave që dashuroje?

Edhe vetja ime së bashku me vëllain, Stefin, gjejmë gjithë jetën tonë te kjo këngë. Gjithçka shkruhet është jeta jonë, vuajtjet e fillimit, policitë, kazinotë, dashuritë e pafundme, arritjet më tej, etj., etj., që s’ke mundësi t’i shkruash të gjitha në një këngë. Në fakt, këngët tuaja nga “E prek magjinë” te “Jepe”, e kanë dhe dashurinë e aventurën brenda.

Çfarë ka prej aventurieri Stefi dhe çfarë ke prej romantiku ti si mashkull?

Të të shpjegoj unë aventurën e Stefit, duhet të shkruaj një roman, ndërsa të të shpjegoj romancën time si mashkull, duhet ta provoni vetë që ta kuptoni, kështu që më mirë po shkojmë te pyetja tjetër. (qesh)

Je baba i dy djemve nga dy martesat e tua. E ke gjetur femrën që mund të të bëjë baba vajze?

Jam i lumtur që më ka dhënë Zoti këta dy djemtë e mi, këta dy engjëjt e mi, kingat e babushit, forca dhe frymëzimi im. Jeta ime mund të quhet aventurë, kështu siç më ka ardhur. Kam parë e jetuar aq shumë sa s’mendoj se kam të dytë dhe që të gjej këtë femrën tjetër që të bëj atë çupkën që thoni ju, sot është një çudi, pasi më duket se e kanë nxjerrë nga qarkullimi dashurinë. Kështu po e transformon vetë politika këtu, vetë mediat dhe gjithçka te ky vend, është një eksperiment. Ditë e net jete me të gjitha, por mbizotëron vetëm interesi dhe kurvëria, ku të gjithë janë të etur për para.

Ti si ndihesh brenda kësaj vorbulle dhe si mund ta gjesh dashurinë e vërtetë në këtë lloj frymë që po dominon realitetin tonë?

Asgjë nga këto s’më shijon, por kur je në mes të kësaj vorbulle, do përpiqesh të përshtatesh që të jetosh i lumtur… Unë, asnjëherë, s’do heq dorë për të gjetur dashurinë time të vërtetë, gjëja më e bukur në botë, që nuk blihet, as shitet nga asnjë intrigant apo prostitutë. Dashuria e vërtetë është gjithçka ka nevojë trupi i njeriut, është vetë jeta, sikur edhe bukë me vaj e kripë të kesh, siç na thoshin ne dikur prindërit.

Për ty fillon vera e bashkë me të edhe koncertet e verës, me shampanjë, shkuma party dhe femra të bukura. Çfarë të deh më shumë?

Mua nuk me deh asgjë kur pi me karar. Kur pi pa karar pastaj, patjetër që na dehin të gjitha dhe fillon ajo pastaj që shkrova pak më sipër, pikërisht çrregullimi që nuk e dua, por e gjej midis njerëzve. Sa për sezonin, patjetër kështu thuhet për të gjithë. Për ne s’ka sezon, gjithë viti është sezon, me ndryshimin se patjetër ke dy ditë më shumë në javë dhe diellin e nxehtë e të bukur.

I keni bërë gati këngët e festivaleve të këtij viti? Për shembull, me çfarë këngë do të konkurroni në “Kënga Magjike” për 20-vjetor?

Për mua, festivali “Kënga magjike” është një ngjarje me shumë vlerë që ka ky vend, një festë në të gjitha kuptimet, shumë i dashur dhe produktiv, përveç momentit kur vjen ajo padrejtësia e votave në fund, që konkurron një kompozitor me 10 këngë dhe dikush tjetër me një këngë. Por, mua nuk ma ndjen fare për çmimet dhe intrigat që thuren çdo vit aty! Edhe se këtë vit është 20-vjetor, për mua është njësoj, sepse vlerësoj dhe respektoj gjithçka që sjell ky festival. Unë dua të jem gjithmonë pranë fansave dhe dashamirësve të muzikës sonë dhe nuk do të mundem asnjëherë nga asnjë klan apo çfarëdo qofshin, servilët, intrigantët dhe të paaftët, që kur bëhen shumë bashkë, kujtojnë se do infektojnë këtë vend, por jo Endri dhe Stefi Priftin.

Duke qenë se shpesh ju vëllezërit korçarë jeni përballur me pakënaqesi dhe hatërmbetje kolegësh e drejtuesish, për çfarë aspekte të menaxhimit të famës mendoni se nuk ia vlen të jesh këngëtar me emër në Shqipëri?

Të jesh këngëtar në Shqipëri, është gjëja më e lehtë. Fukarallëk, maskarallëk, do e quaja! Vetë mediat e kanë katandisur këtë vend që të gjithë të shesin çfarë të duan, sepse blihen të gjithë. Këto media intrigash te ky vend bëjnë një prostitutë, për shembull, edhe këngëtare të madhe. Gënjejnë veten, por morën më qafë këtë popull, sepse ç’u shesin, ky populli i shkretë e blen. Pra, te ky vend janë të gjithë këngëtarë.

Keni menduar ndonjëherë ta lini Shqipërinë për SHBA-në apo Australinë e largët dhe pse?

Unë nuk gënjej asnjëherë. Por, vitet e fundit e kam menduar dhe mbase shumë seriozisht. Pse? Luftova dhe punova shumë në këtë vend, u vlerësova dhe u pagova shumë te ky vend, u bëra protagonist shumë herë i shumë debateve, që vetëm ne i kemi kundërshtuar fort kundër shumë klaneve të fuqishme, apo vetë shtetit. Për mua është vetëm e mira e këtij populli, që nuk di se kush ta gënjejë më parë, se kush ta vjedhë më parë, se kush ta shtypë me parë e vetë eksperimenti nuk di se ku do dalë në këtë vend. Çdo ditë, çdo ditë, gënjeshtarët në televizione e marrosën fare këtë popull. Më duket sikur i kanë injektuar gjilpërë në tru, prandaj dhe unë kam menduar për t’u larguar në një vend me të vërtetë e të sinqertë, por duke mos harruar, shkruar dhe kënduar për vendin tim. Dhe nëse largohem në një të ardhme jo shumë të largët, mos të trembet asnjë nga fansat tanë, sepse ju premtoj që do të vijmë dy herë në vit, do t’i biem rreth e përqark gjithë vendit tonë, duke qenë pranë gjithë jetën me ju.

Vetë jeta jote është një spektakël i vërtetë nga një skenë në tjetrën Si qëndron kaq energjik dhe në formë ti Endri, a mund të zbulosh ndonjë sekret?

Energjia dhe forca ime jetojnë vetëm te sinqeriteti im, dashuria për njerëzit dhe pasioni im që kam për muzikën. Është kjo e fundit, që unë s’jetoj dot pa të. Gjithçka jetoj, çdo hall a problem të kem, çdo gëzim a hidhërim të kem, kur marr mikrofonin në dorë, çlirohem dhe harroj gjithçka. Aty jam i lumtur dhe jetoj gjithë jetën time e kjo është forca dhe energjia ime.

Vuajtja më e madhe që ke kaluar deri tani shpirtërisht dhe vargjet e cilës këngë e shprehin totalisht?

Për mua, vuajtjet janë “shoku im” në jetë, pasi kështu më është ndërthurur jeta. S’e di a jam edhe unë një eksperiment në këtë jetë, sepse s’ma merr mendja se do i përballonte njeri tjetër këto që përballoj unë. Vargjet? Të gjitha vargjet tona janë vepra të mëdha në jetë. Po vijojmë me një album dhe këto 10 ditë do të dalin dy këngë të reja. Këngët e albumit janë kryevepra si nga vargjet, ashtu edhe nga muzika, por njërën e kam shkëputur nga albumi për festivalin “Kënga magjike”, pasi është për mua një vepër shumë, shumë e madhe që mund ta quaja të tipit “U ringjall Shekspiri edhe Bethoveni“. Së fundmi, ju e dini mbylljen time. Dua t’i shoh të gjithë të lumtur, të dashur me njeri-tjetrin. Fukarenjve t’u japë Zoti shëndet e pasuri, të pasurit t’i mbajë të pasur e me shëndet dhe kurrë mos vidh hakun e tjetrit. I love you all all!

Facebook Comments

MineralHygienics.com