November 25, 2024

Rënie dramatike e kredisë në 6 muajt e parë të 2018-s

Stoku i huasë për ekonominë ka shënuar një rënie dramatike në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos reflektuar aspak rritjen e vendit, që në tre muajt e parë të vitit sipas INSTAT u zgjerua me 4.4%.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në muajin qershor zbriti në 530 miliardë lekë, me një tkurrje prej 9.3 miliardë lekë, apo 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm. Rënia ka qenë e pandalshme në 6 muajt e parë të këtij viti, duke u tkurrur me 20 miliardë lekë. Kjo është tkurrja më e madhe historike, të paktën që prej vitit 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton statistikat e kredisë.

Ky është niveli më i ulët i stokut të huasë për ekonominë, që prej tetorit të vitit 2011 (shih grafikun).

Tkurrja në qershor ka ardhur si rrjedhojë e rënies së kredisë për korrporatat publike, me 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e shlyerjes së overdraft të KESH në banka, pas lëvrimit të huasë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërsa në raport me fundin e 2017-s, tkurrja e kredisë ka ardhur si rrjedhojë e rënies së huasë në valutë për bizneset, por edhe për individë. As stoku i kredisë në lekë për biznese nuk ka shënuar rritje, përkundrazi.

Të vetmit që po preferohen për t’u kredituar nga bankat janë individët në monedhën vendase, kryesisht për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Që prej shtatorit të vitit 2017, huaja për ekonominë po rezulton me rënie të ndjeshme. Bankat janë skeptike për të dhënë hua, teksa janë përqendruar në segmentin e mesëm dhe ankohen se mungojnë projektet e mira për të financiar. Arsye të tjera që kanë ndikuar në rënien e stokut janë fshirja e kredive që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, si dhe nënçmimi i euros.

Monitor.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com