Festa lokale zbret në Divjakë, ku mijëra pushues u mblodhën në sheshin kryesor të Parkut Kombëtar të Karavastasë ku për disa ditë u zhvillua Panairi i Bostanit. Prodhues dhe përpunues të bostanit, ekspozuan dhe tregtuan për pushuesit, varietetet e ndryshme të bostanit, gatime me bazë shalqiri dhe pjepri, si: lloje të ndryshme sallatash, tortat me bostan, gliko të ndryshme, dhe ëmbëlsira të tjera me këtë bazë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishte i pranishëm në natën e fundit të zhvillimit të këtij panairi lokal. Duke ju referuar bostanit si produkti më i eksportuar i zonës, që këtë vit shënoi rekordin e shitjeve jashtë vendit prej 81 mijë ton, ministri Klosi solli edhe një kuriozitet, atë të eksportimit të bostanit të Divjakës në Suedi.
“Mbase dhe kjo është e bukura e këtij sezoni që shumë bostanë është eksportuar në Suedi dhe shumë suedezë kanë ardhur në Divjakë për të kaluar pushimet, së bashku me të rinjtë e projektit Smile kemi pritur shumë më tepër turistë se vitin e kaluar”, deklaroi ministri Klosi.
Më tej, ai theksoi se ideja e festave të sezonit, është për t’i dhënë një shtysë agroturizmit për të qenë pjesë e zhvillimit turistik.