Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Adem Demaçit, veprimtar për të drejtat e njeriut.
“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit, Mandelës së Kosovës. Sot gjithë kombi mban zi, sepse humbi një ndër njerëzit që me sakrificën, fisnikërinë dhe mendimin e tyre përbëjnë shtylla që mbajnë peshën e krenarisë kombëtare.
Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Demaçi, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe gjithë popullit të Kosovës, për këtë humbje të madhe.
Adem Demaçi si një ndër simbolet e qëndresës kombëtare, mbetet përherë në kujtesën e kombit që përkulet me mirënjohje të thellë para sakrificës dhe kontributit të tij të pavdekshëm për Kosovën”, shkruan kreu i PD në “Facebook”.