December 23, 2024

Del ekspertiza: Ja pse u përmbyt Biblioteka Kombëtare

Instituti i Ndërtimit bën vlerësimin teknik të Bibliotekës Kombëtare një muaj pas përmbytjeve, edhe zjarrit që ra një vit më parë. Përmbytjet para një muaj, sipas raportit, kanë ndodhur për shkak të vjetërsisë së objektit.

Ndërsa, impianti i mbrojtjes nga zjarri ka nevojë për ndërhyrje të thella rikonstruktive. Ekspertët theksojnë se mungon hidrolizimi i bazamentit të themeleve, si dhe i faqeve anësore të bodrumit.

Diçka e tillë nuk është marrë parasysh që në projektim. Sipas tyre, në periudhën kur është krijuar objekti nuk ka pasur një studim të mirëfilltë hidrolologjik për zonën. Prandaj sot Biblioteka Kombëtare gjendet në situatën ku është

Përmbytja

Vjetërsia e objektit, dëmtimet që ka pasur objekti në dyshemenë e tij dhe mosmarrja e masave mbrojtëse, që në projektim janë sipas Institutit të Ndërtimit arsyet kryesore, që ka ndodhur evadimi i ujërave në ambientet e bodrumeve të Bibliotekës.

Në ekspertizë “faji” kryesor i depërtimit të shiut në Bibliotekë është i mungesës së studimeve hidrologjike dhe i masave mbrojtëse për hidrolizim të objektit për këtë zonë që gjatë projektimit të ndërtesës. Fenomeni i daljes së ujit në dyshemenë e objektit, sipas specialistëve të shtetit ka ardhur, si rezultat i rritjes së nivelit pjezometrik të zonës.

Sipas ekspertëve Biblioteka në themelet e saj, në shtresat e dyshemesë ka pësuar dëmtime dhe nuk e ka mbrojtur praninë e ujërave nëntokësor.

Viti 2017-2018 ka patur reshje të mëdha dhe sezoni i tyre ka filluar shumë shpejt. Sot aktualisht gjendemi në kuotën maksimale të ujërave nëntokësor dhe si rezultat i reshjeve të mëdha në sasi dhe në një kohë të shkurtër (në ditët që ndodhi përmbytja), është rritur prurja dhe niveli pjezometrik i zonës, ku ndodhet dhe tabani i themelit të Bibliotekës.

Kishte bllokim kanalizimesh?

Ekspertët përjashtojnë futjen e ujit në BKSH për shkak të kanalizimeve apo ndonjë fenomeni tjetër. Kjo, sipas tyre provohet nga mungesa e prezencës së ujit në interkarpet në kohën kur në bodrume kishte prani të ujit.

Çfarë duhet bërë?

Ekspertët theksojnë se objekti nuk plotëson standardet dhe ka një amortizim të tejskajshëm, ndaj rekomandojnë të merren masa të menjëhershme si:

1.            Largimi i materialeve nga soletat për të bërë uljen e ngarkesës dhe lehtësimin e tyre.

2.            Kryerjen e provave laboratorike për strukturat si karrotazhe, sonografi, tomografi. Kryerjen e spektrave të momenteve për strukturat.

3.            Marrjen e masave të menjëhershme për hidrolizimet e nevojshme, në ambientet e bodrumeve të objektit, si dhe shtrimet e shtresave të dyshemeve, pasi janë jashtë çdo kushti teknik.

4.            Të bëhet heqja e suvatimeve të vjetra, pasi janë tejet të degraduara dhe të zëvendësohen me të reja. Duhet bërë ndërhyrje totale, mbi bazën e një projekti të studiuar, për rritjen e performancës së strukturave si dhe rifiniturës së vet ambienteve.

Mbrojtja kundër zjarreve joefikase

Sipas ekspertizës rezultojnë jashtë normave teknike impianti i mbrojtjes kundra të hidrantëve me ujë si dhe baseni ujor i shatërvanit që shërben si rezervë ujore ( i përkasin instalimeve origjinale 1963-1964).

Rreziku për zjarr i 2017-ës ishte paralajmëruar

Në vlerësimin teknik bërë BKSH pohohet se, konstatimet janë paralajmëruar që në korrik të vitit 2016.

Me rënien e zjarrit  në 15.03.2017 dhe nga ekspertiza e repartit të mbrojtjes kundër të janë konstatuar të njëjtat probleme të sistemit të mbrojtjes

Çfarë duhet bërë?

Impianti i mbrojtjes nga zjarri ka nevojë për ndërhyrje të thella rikonstruktive si në pikëpamje të mbrojtjes pasive ashtu edhe të mbrojtjes aktive.

Impianti i shkarkimit dhe ujërave të zeza

Impianti i ujërave të zeza dhe shiut janë dëmtuar nga ndërhyrje jopreofesionele

Impianti i shkarkimit të ujërave të zeza ka pësuar degradime  edhe për shkak të teknikave të vjetra edhe të amortizuara. Ky impiant ka pasur riparime edhe ndërhyrje të pjesshme, duke rezultuar jashtë normave teknike. Ndërhyrjet jopreofesionale kanë shkaktuar mosfunksionimin e tij si dhe krijimin e vatrave të lagështirës dhe mykut, duke dëmtuar kushtet e ruajtjes së librave.

Rikonstruksioni i 2012-ës, nuk është në përputhje me normat

Gjatë rikonstruksionit të fundit të bërë në vitin 2012 është vendosur një sistem automatik i mbrojtjes me pluhur, i cili nuk është në përputhje me normat pasi pluhuri si mjet shuarës në ambientet e Bibliotekës është i ndaluar.

Pavarësisht kësaj sistemi i shuarjes me pluhur nuk është efikas, sepse vendosja e bombolave është jo në korrespodencë me hapësirat ndërmjet rafteve dhe lë pjesën më të madhe të sipërfaqes të pambrojtur. Ky sistem i mbrojtjes nga ë nuk funksionon as në raftet e sipërme, sepse lartësia e vendosjes së librave është më e madhe se lartësia që mund të mbulojnë bombolat e pluhurit.

Mungesa e hapësirave:

Sipas rezultateve të ekspertëve të shtetit, të cilët janë bazuar në informacionet e marra nga administrata e Bibliotekës Kombëtare, hapësirat në funksion të Bibliotekës kanë më shumë, se 20 vjet që nuk i plotësojnë nevojat e këtij institucioni.

Raftet “imagjinare” të krijuara për shkak të mungesës së hapësirave, përgjatë korridoreve dhe shkallëve të kateve bodrum jo vetëm pengojnë shërbimin ndaj përdoruesve, por edhe pengojnë daljen e personelit në raste emergjente (tërmet, zjarr, përmbytje).

Sipërfaqja aktuale e hapësirave depozituese të njësive bibliotekare është rreth 6 herë e gjysmë më e vogël sesa duhet referuar Standardeve të IFLA-s. (Instituti dhe Federata Ndërkombëtare e Librit). (Duhet të jetë jo më pak se 10000m2 ndërkohë që është 1560m2)

Struktura

Sipas ekspertizës muret e objektit, sidomos në katet e bodrumit janë të degraduara për shkak të lagështirës dhe në disa sipërfaqe ato shfaqen edhe të plasaritura.

Përsa i përket shtresave të dyshemesë, sipërfaqet e shtruara me parket rezultojnë të vjetra dhe jashtë standardeve për veshjen e një Biblioteke Kombëtare. Ndërsa sipërfaqet e shtruara me pllakë porcelani, të cilat gjenden kryesisht në katet e bodrumit  paraqiten mjaft të dëmtuara për shkak të vjetërsisë dhe prishjes së shtresave të poshtme të tyre.

Rezulton të kenë gjithashtu dëmtime në tavanet e kateve nëntokë, si pasojë e vjetërsisë së objektit dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Dyert e jashtme janë të amortizuara për shkak të agjentëve atmosferikë dhe nuk përmbushin kushtet minimale të sigurisë, ndërsa dyert e brendshme dhe dritaret janë tërësisht jashtë standardit dhe të papërshtatshme teknikisht për një Bibliotekë Kombëtare.  Sidomos në katet e bodrumeve dritaret, dhe sistemi i mbylljes rezultojnë të amortizuara.

Facebook Comments

MineralHygienics.com