November 24, 2024

Bushati në takimin e Budvas: Procesi i zgjerimit nuk mund të zhvillohet në vakuum

Në kuadrin e Trilateralit të Adriatikut, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë sot në takimin e tretë të ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, që u zhvillua në Budva.

Kjo platformë e lançuar vitin e kaluar i shërben përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e bashkëpunimit në Europën Adriatike, tashmë të shndërruar edhe në NATO-n Adriatike dhe për një aksion të përbashkët në interes të një rajoni më të siguritë dhe më të ndërlidhur në të gjitha dimensionet.

Gjatë takimit tre ministrat e Jashtëm u fokusuan në bilancin e Samitit të NATO-s në Bruksel, Samitit të BE dhe Ballkanit Perëndimor në Londër në kuadrin e Procesit të Berlinit, përmirësimin e ndërlidhjes dhe transportit në rajon, si dhe nxitjes së bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe mbrojtjes së ambientit.

Në fjalën e tij ministri Bushati theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes tre vendeve në proceset e integrimit dhe kthimin e këtij rajoni nga një hapësirë sigurie, në një hapësirë zhvillimore.

Për ministrin Bushati “procesi i zhvillimit nuk mun te zhvillohet ne vakum, duhet të shoqërohet me instrumente që i shërbejnë dhe procesit të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe transformimit politik dhe shoqëror të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Duke vlerësuar Politikën e Dyerve të Hapura të NATO-s ministrat shprehën mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Maqedonisë në Aleancë dhe vlerësuan marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës si dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Një fokus i veçantë iu kushtua ecurisë dhe ndërveprimit për avancimin e projekteve me rëndësi strategjike si Korridori Adriatiko-Jonian dhe Gazsjellësi që do të lidhë linjën Trans-Adriatike me Kroacinë nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, por edhe bashkëpunimit në fushën e energjisë, turizmit dhe mjedisit.

Në përfundim të takimit ministrat e Jashtëm të të tre vendeve nënshkruan një deklaratë të përbashkët.

Facebook Comments

MineralHygienics.com