Ish-kryeministri Sali Berisha është i ftuar këtë të premte në emisionin “JAVA” në RTSH ku ka folur për çështjet e aktualitetit politik.
Një prej çështjeve më të nxehta të momentin është edhe ajo e Teatrit Kombëtar. Përballë analistëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, Berisha tha se dita e votimit të projektligjit ka qenë për të më e vështira në Parlament.
“Në 27 vite, në atë parlament, dita më e neveritshme në historinë time, jetën time parlamentare ka qenë dita e atij ligji, ligji për teatrin. Pse. E thatë, një betejë shtatë mujore, zhvillohet me një grup artistësh, të cilët ashtu siç janë përfaqësojnë gjeninë krjuese të kombit, dhe zënia me ta, është absolutisht e papranueshme”, deklaroi Berisha.
Ai tha më tej se plani për shembjen e Teatrit Kombëtar është hartuar prej 20 vitesh nga kryeministri Edi Rama, prej kohës që sipas tij ka qenë ministër Kulture.
“Një pushtet që përballet egërsisht me artistët ëhstë një pushtet mjeran, i turpshëm. Si mundet të ëprdoret fuqia ekzekutive, ndaj një grupi që të dytë s’do ketë tjetër, dhe për çfarë, për tempullin e tyre. Të fusësh ligjin brenda dhjetë ditësh, me forcë, sikur je në emergjencë, ajo është një gjë e turpshme. Si ka mundësi të përdorësh tehun e ekzekutivit për të vepruar me një superemergjencë. E bën vetëm që t’i fusë rruspat. Një armiqësi e filluar 20 vite më parë”, deklaroi më tej Berisha.
Analisti Vangjeli në një ndërhyrje të tij i kujtoi Berishës planin e tij për shembjen e Piramidës, në kohën kur ishte kryeministër, duke bërë një paralelizëm me planin e sotëm për shembjen e teatrit ekzistues.
Por, sipas Berishës, këto dy raste nuk mund të krahasohen mes tyre.
“Piramida ishte dhe është për t’u rrafshuar. Është ndërtuar për të simbolizuar fuqinë e faraonit shqiptar”, tha Berisha./a.m.