Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, ka marrë masën e bllokimit të lejeve të guroreve që operojnë në malin e Tomorit.
Në një konferencë për mediat, ai tha se ka pasur abuzime të mëdha në gërmime por edhe ndryshim të kordinatave të lejeve të dhëna.
Klosi akuzoi dhe gjykatën për vendime të padrejta.
Deklarata
Dy shkeljet më të rënda që u konstatuan ishin ndryshimi kryekëput i kordinatave të gërmimit nga leja në terren dhe po ashtu mungesa e zbatimit ligjor të detyrimit për të rehabilituar zonën e gërmuar.
Asnjë nga këto biznese nuk kishin sistemuar zonën e gërmuar dhe po ashtu gjelbëruar atë siç ligji e përcakton. Por më shumë se kaq, pothuajse të 10 këto biznese në asnjë rast nuk kanë zbatuar lejen mjedisore duke e shndërruar malin e shenjtë të Tomorit nga një mal legjendar për të gjithë qytetarët shqiptarë në një mal që sot shndërrohet në një gërmadhë të madhe mjedisore.
Mesa duket këtij veprimni dhe mungesë të plotë të ligjshmërisë, guximi ka ardhur tek këto biznese asgjëkund tjetër përveçse tek salla e korruptuar e gjykatës së Vlorës. Si në shumë raste të tjera dhe në rastin e evokimit të lejeve mjedisore, salla e gjykatës është bërë mbrojtës i padrejtë i shkelësit të ligjit.
Në një vendim absurd dhe terësisht arbitrar, gjykata administrative e qarkut Vlorë ka lejuar vijimin e gërryerjes së malit të shenjtë të Tomorit për dy nga subjektet që u është revokuar leja mjedisore.