Në fund të procesit të vetingut, Gjykata Kushtetuese ka mbetur zyrtarisht vetëm me dy anëtarë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot dhe Gani Dizdarin, anëtarin e fundit të Kushtetueses që kishte mbetur për tu rivlerësuar. Sipas KPK-së, zoti Dizdari nuk justifikon pasurinë dhe ka kontakte me persona me precedent penalë, ndaj nuk mund të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë.
Për ironi, Zoti Dizdari ishte një prej dy anëtarëve të Kushtetueses që votoi kundër ligjit të vettingut në vitin 2017. Anëtari tjetër ishte Besnik Imeraj që dha dorëheqjen dhe nuk iu nënshtrua fare procesit të rivlerësimit.
Bashkë me Imerajn, dhanë dorëheqjen dhe Sokol Berberi e Vladimir Kristo. Ndërsa Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha u shkarkuan nga KPK për mosjustifikim të pasurisë.
Aktualisht vetëm Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja kaluan vetingun dhe do të vazhdojnë të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, e nga sa duket do të vazhdojnë të jenë të vetëm edhe për disa kohë. Kjo sepse sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Presidenti (3 prej tyre), Parlamenti (3 të tjerë) dhe Gjykata e Lartë (3 të tjerë). Në të gjitha rastet, KED është institucioni që rendit kandidatët e mundshëm. Kështu që për sa kohë KED nuk formohet dot pasi kandidatët për KED ende nuk i janë nënshtruar të gjithë vetingut, nuk do të plotësohet as Gjykata Kushtetuese dhe vendi praktikisht do të vazhdojë të mbetet pa Gjykatë Kushtetuese./exit