December 23, 2024

‘Fighting For Love’, filmi bashkon aktorë shqiptarë dhe amerikanë, nis me varjen e Havzi Nelës….

“Fighting for Love”, filmi shqiptaro-amerikan me skenar dhe regji të shqiptaro-amerikanit Fatmir Bardhoci është prezantuar mbrëmjen e së shtunës në një ceremoni të posaçme.

Personazh kryesor është Iliri, një 15 vjeçar i motivuar nga filmat aksion të Van Dame, i traumatizuar nga varja e poetit Havzi Nela të cilën e pa me sy në vitin 1988, vendos të largohet nga vendi i vetëm pikërisht ditën kur gjyshi i tij vdes.

Në film vjen një histori shqiptare, por me ngjarjet e saj që zhvillohen edhe larg Shqipërisë. Filmi është prodhim i kompanisë filmike në New York Fati Film Production dhe këto ditë xhirimet po kryhen në Kukës për të vijuar më pas dhe në Shkodër, por vijojnë dhe në Amerikën e largët. Në qendër të filmit Iliri njihet me një femër me prejardhje shqiptare, e cila luan një rol të dyfishtë. Në njërën anë e dashura e bosit të mafias e detyruar, e droguar, në anën tjetër e dashuruar me personazhin, i cili rrezikon jetën e tij për ta shpëtuar nga kthetrat e mafias. Aktori Bruno Shallku tregon se filmi një dramë në historinë e tij, këtë herë e sjell në rolin e gjyshit që ai e vlerëson jo pak.

“Filmi sjell historinë e një djali në moshën 15 vjeçare, i cili kur në Kukës varet mësuesi i tij poeti Havzi Nela vendos të bëjë divorc me Shqipërinë dhe arratiset duke lënë pas familjen. Por mbi të gjithë lë pas dhe gjyshin e tij që është mjaft i vrarë shpirtërisht që e ka rritur atë. Prej fatit të mirë që e ndiqte në SHBA filloi një sport të mbrojtjes dhe është kampion, por gjithmonë mendjen e ka te Shqipëria dhe i shfaqet në ëndrra. Një ditë i thotë në ëndërr, gjyshi unë jam kthyer nga Amerika dhe jam këtu si një njeri që ka nevojë atdheu dhe unë kam ardhur që të bëj dhe një dasëm shqiptare”, pohon aktori.

Sipas tij filmi këtë herë nuk vuan nga buxheti për t’u realizuar. “Filmi ka një buxhet shumë të mirë, i shkruar me emocione shqiptare por ka një dialog të bukur, mendoj që do të dalë një film i bukur dhe paratë nuk mungojnë. Një film i destinuar për festivale filmi Amerikane, në Kanë etj. Është një rol që kam konservuar kaq shumë energji për të bërë një personazh të tillë. Roli i gjyshit është si një kostum për mua që do ta vesh gjithë dashuri.

Në prezantimin e filmit, Bardhoci theksoi se shqiptarët me punën e tyre kanë treguar vlerat por dhe trashëgiminë kulturore në botë. Në rolin e nënës, Freskida Miloti. Në ceremoni kanë marrë pjesë dhe të afërm të poetit Havzi Nela.

Facebook Comments

MineralHygienics.com