November 25, 2024

Fermerët zëvendësojnë derrat me gjinkallat, gjashtëkëmbëshat sjellin më shumë të ardhura

Shumë fermerë finlandezë, si Kirsi dhe Jouko Siikonen, që dikur rrisnin derra në tokën e tyre, sot i kanë zëvendësuar ata me insektet gjashtëkëmbëshe që mund të zgjidhin krizën botërore të ushqimit. Të ardhurat në ulje i bindën ata të braktisin derrat dhe pasi qeveria miratoi shitjen e insekteve të ngrënshme Nëntorin e kaluar ata nisën menjëherë fermën e tyre të karkalecave.

Nëse më parë ferma e tyre mbante rreth 1200 derra në baltë, ata tashmë kanë ndërtuar një impiant të posaçëm për insektet. Këtë vit ata presin të prodhojnë plot 1.5 ton proteina të ngrënshme, pjesa më e madhe e të cilave do të përdoret si ingredient bazë për produkte si çokollata, buka, drithërat për mëngjes, etj.

“Nuk kemi pse të punojmë me lopatë në një fermë karkalecash dhe aroma është më e pranueshme. Puna është fizikisht shumë më e lehtë krahasuar me rritjen e derrave. Karkalecat nuk të pickojnë apo kafshojnë. Kurse një derr të kafshon edhe nga kurioziteti”, shprehet Kirsi, familja e të cilës e ka pasur fermën që prej viteve 1500.

Insektet janë tashmë pjesë e dietës për 2 miliardë njerëz, kryesisht në Azi, ndërsa kërkesa pritet të jetë në rritje edhe në pjesë të tjera të botës për shkak të shtimit të popullsisë. Për të prodhuar një kilogram gjinkalla nevojitet 1/5 e ushqimit që do të hanin derrat apo gjedhët për të njëjtën sasi mishi. Insektet nuk kanë nevojë as për antibiotike apo hormone rritjeje dhe kërkojnë shumë më pak ujë.

Rreth 1900 lloje insektesh gjenden në gatimet tradicionale në Tailandë, Japoni, Kinë, Australi dhe Peru. Ndërsa tashmë restorantet që gatuajnë insekte po shfaqen edhe në Amerikë dhe Europë.

Për momentin përdorimi i insekteve në kuzhinë në pjesën perëndimore të botës është i limituar kryesisht në bërjen pluhur të tyre për të rritur vlerat ushqimore të një gatimi. Kjo ndodh për faktin se njerëzit kanë frikë të hanë një insekt të tërë.

Tregu botëror për insektet e ngrënshme pritet të trefishohet në pesë vitet e ardhshme, falë kërkesës që do të vijë nga e gjithë bota. Dhe duket se ky është momenti më i mirë për fermerët që duan të transformojnë fermën e tyre.

Për të “vjelur” karkalecat, ata ngrihen tek ferma dhe dërgohen me një kamion me frigorifer në një prej procesuesve të insekteve, të cilat kanë njohuritë dhe teknologjinë për këtë gjë. Atje, karkalecat lahen, zihen, thahen dhe më pas bëhen pluhur dhe paketohen.

Tashmë Finlanda numëron 20 ferma të vogla insektesh, ndërsa rreth 200 fermerë të tjerë shprehen të interesuar për këtë lloj biznesi.

Në vijim priten edhe ndryshime ligjore në Europë që do të lehtësojë rrugën e insekteve drejt pjatave dhe supermarketeve. Tashmë disa gjigandë të ushqimit në Gjermani dhe Spanjë po ofrojnë makarona apo ushqime energjetike të bëra me insekte.

Për momentin është më e shtrenjtë të rrisësh insekte të ngrënshme në Europë dhe Amerikën e Veriut, se sa në Azi ku kërkesa nxit ofertën. Në Europë gjinkallat e freskëta shiten për 20 euro/kilogram, krahasuar me 5 euro/kg në Tailandë, ku ekzistojnë 20 mijë ferma.

Insektet e ngrënshme vlerësohen edhe nga kuzhinierët, të cilët i quajnë “superushqimi”. Ata shpresojnë që në të ardhmen ato të bëhen më popullorë dhe në 20 vite të konsiderohen si sushi.

Facebook Comments

MineralHygienics.com