November 25, 2024

Shqipëria me nivel të lartë të humbjes së bimësisë së rrallë

Shqipëria përballet me nivelin më të lartë të humbjes së bimësisë së rrallë në Evropë.
Një raport i PNUD-it mbi Menaxhimin e Ekosistemit në Basenin e Liqenit të Prespës tregon se çaji shqiptar i malit (Sideritis Raeseri) është një nga bimët më të rrezikuara në Shqipëri.

Në këtë raport theksohet se, në listën e Specieve të Mbrojtura të Florës Shqiptare, çaji shqiptar i malit (Sideritis Raeseri) konsiderohet si një bimë e kërcënuar nga zhdukja, me një rënie prej 50% në një periudhë 20 vjeçare.

Sipas studimit të përfshirë në Ligjin për Mbrojtjen e Bimëve Medicinale që përmbajnë Acid Tanik dhe Vajra Esencialë, bimët medicinale në kullota dhe lëndina duhen mbledhur nga njerëz të autorizuar e të pajisur me një liçencë të lëshuar nga autoritetet përkatëse.

Një studim tjetër, të cilit i referohet AgroWeb.org, tregon  se në Shqipëri, mbledhja në natyrë dhe shitja e bimëve medicinale dhe aromatike është burimi kryesor i të ardhurave për familjet e varfra rurale.

Në pjesën shqiptare të Parkut të Prespës, numri i njerëzve që mbledhin këto bimë për shitje arrin në 50, shumica prej të cilëve janë femra.

Por ekspertët vendas thonë se numri i të ashtuquajturve “mbledhës rastësorë” të këtyre bimëve mund të përafrohet në 1500 vetë.

Përveç banorëve të zonës, disa mbledhës të këtyre bimëve vijnë edhe nga qyteti i Korçës. Të dhënat mbi sasinë vjetore të bimëve në fakt nuk janë të sakta.

Për më tepër, mungon një sistem i mirëfilltë kontrolli mbi mbledhjen në natyrë të çajit të malit, sasitë e mbledhura apo mbledhësit e regjistruar të kësaj bime.

Raporti i PNUD, i cili përfshin edhe një plan veprimi, thekson se çaji shqiptar i malit (Sideritis raeseri) është një nga 70 bimët medicinale dhe aromatike që mblidhen dhe shiten në zonën e Prespës.

Ky çaj është i një rëndësie të veçantë ekonomike për komunitetet e zonës.
Ai mbetet një nga çajrat më popullorë dhe më të pasur me antioksidantë në trajtimin e problemeve me tretjen, frymëmarrjen dhe forcimin e sistemit imunitar.

Plani i veprimit i PNUD është përgatitur me qëllimin për të siguruar një status të favorshëm konservimi afatgjatë, menaxhim të qëndrueshëm, restaurim dhe mbrojtje të sipërfaqeve me çaj mali në zonën e Prespës.

Sipas të dhënave arritja e qëllimeve të Planit të Veprimit për Konservimin e çajit të malit, përmbledh katër objektivave: 1) eliminimin e mbledhjes së tepruar dhe të papërshtatshme; 2) parandalimin e degradimit të habitatëve të çajit të malit; 3) përmirësimin e njohurive për çajin; 4) përmirësimin e ndërgjegjësimit mbi çajin e malit.

Shpërndarja gjeografike e çajit të malit
Në Shqipëri, sipas studimit të PNUD, çaji i malit rritet në zonat Malit të Gjerë, Malit të Stugarës, Malit të Murganës, Nemerçkës, Çajupit dhe Dhembelit në zonën e poshtme të luginës së Vjosës.

Bima rritet edhe në zonën e sipërme të saj deri tek Lumi Shkumbin, Mali i Tomorrit, Rrungaja, Ostrovica dhe Polisi, ndërkohë që në pjesën juglindore të vendit, çaji i malit rritet vazhdimisht në disa sipërfaqe të Malit të Thatë.

Kultivimi

Çaji i malit ka një potencial të shkëlqyer kultivimi, por kjo duhet të bëhet duke përdorur teknikat, praktikat më të mira si dhe eksperiencën e përfituar.

Degradimi i habitatit të çajit të malit në fazat fillestare të bimësisë nga bagëtitë, por edhe shkatërrimi si pasojë e zjarreve kanë ndikuar ndjeshëm në funksionet e ekosistemit kanë shkaktuar një zvogëlim të bimësisë së përgjithshme të çajit.

Sipërfaqet natyrale të çajit të malit dhe habitatet e tyre shpesh ndërthuren me bimë foragjere, duke e bërë kullotjen një rrezik të mirëfilltë.

Për më tepër, shfrytëzimi i tepruar i kësaj bime ka dhënë kontribut në statusin e rrezikuar të çajit të malit në Shqipëri.

Raporti i PNUD nënvizon se kultivimi i bimës duhet konsideruar si një alternativë për konservimin e specieve të bimëve mjekësore.

Rrjedhimisht, kultivimi është një nga veprimet e rekomanduara për konservimin e çajit të malit.

Bima mund të kultivohet mirë në zona me prodhimtari të ulët përreth Parkut të Prespës pasi në zonën e Prespës vërehet një përvojë e kufizuar e kultivimit të çajit të malit.

Raporti thekson se ndërgjegjësimi i pakët dhe mungesa e njohurive mes banorëve të zonës janë një pengesë për kultivimin e çajit të malit.

Zgjerimi i kultivimit të çajit të malit në zonën e Prespës dhe në zona të tjera të Shqipërisë duhet të jetë në ekuilibër me kërkesën dhe marketingun e produkteve. AgroWeb/a.m.

Facebook Comments

MineralHygienics.com