November 26, 2024

Ambicia europiane e Macron-it fillon në Ballkan

Nga Loic Tregoures

“European Council of Foreign Relation”

Këshilli Europian, arriti një marrëveshje për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë, që parashikohet të nisin në qershorin e vitit 2019, nëse reformat vazhdojnë të japin rezultate konkrete. Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe shtetet e tjera anëtare përfshirë Greqinë, i dhanë dritën jeshile këtij procesi, pavarësisht nga qëndrimi fillestar negativ i shprehur nga Franca dhe Hollanda.

Emmanuel Macron, paraqiti qasjen e Parisit mbi zgjerimin e unionit, në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje të Bullgarisë në muajin maj, duke deklaruar se nuk mund të ketë zgjerim, përpara një reformimi të vetë Bashkimit Europian. Ky veprim, mund të ketë qenë i lidhur me shqetësimet rreth partive populiste brenda vendit të tij.

Por kjo ndërhyrje, ishte tejet kotradiktore me fjalimin e tij të mbajtur në Sorbonë vitin e kaluar, ku ai bëri një apel të fortë për një Europë të bashkuar dhe të udhëhequr nga një vizion i qartë, që nuk dorëzohet përballë forcave anti-europiane. Duket se preferenca e Parisit për vonimin e hapjes së bisedimeve me Shkupin dhe Tiranën, ka rënë “viktimë” si e mungesë të inkoherencës së pafat, ashtu edhe frikërave të politikës populiste në shtëpi.

Ajo që ndodhi midis vizionit në Sorbonës dhe ”derës së përplasur në fytyrë” në Sofje, nuk ka të bëjë fare me vetë Ballkanin Perëndimor, veçanërisht duke pasur parasysh arritjet e shquara të Maqedonisë në vitin e fundit. Ajo ka të bëjë me partitë populiste franceze, dhe republikanët që e kanë kthyer zgjerimin e unionit në Ballkan në një kauzë elektorale, përpara zgjedhjeve për në Parlamentit Europian në vitin 2019.

Megjithatë, zotimi për të bllokuar Maqedoninë dhe Shqipërinë, nuk ka gjasa të zhvendosë asnjë votë. Për më tepër, kjo strategji e ngushëllimit të partive populiste dhe të ekstremit të djathtë, nuk ka prodhuar asnjëherë efekte pozitive për partitë pro-evropiane apo të qendrës së djathtë, që janë zbatueset e këtyre strategjive, qoftë disa dekada më parë, apo edhe sot.

Përkundrazi, kjo qasje e fragmenton një qeveri, që e vendos të gjithë besueshmërinë e saj në ecjen përpara drejt BE dhe NATO. T’i thuash Shkupit se negociatat mund të hapen në qershorin e 2019-ës, pas referendumit që do të mbahet në Maqëdoni mbi emrin e ardhshëm të vendit, është një reminishencë e një formule popullore të përdorur në Balkan:”Ne do të votojmë për opozitën, kur ajo të jetë ngjitur në pushtet!.”

Në Sorbonë, Macron vuri theksin tek vlerat e demokracisë dhe sundimit të ligjit, që ai beson se duhet të jenë në thelbin e një projekti të ri europian. Në Ballkan ai vuri theksin tek zgjedhja strategjike e lidhjes së rajonit me BE, si dhe nënvizoi domosdoshmërinë për të respektuar kriteret e vendosura nga BE, dhe përmbushur reformat demokratike.

Disa muaj më vonë në Sofje, Macron bëri një dallim të habitshëm midis një Europe sovrane dhe një Europe të bashkuar. Sovraniteti, do të thoshte se Ballkani duhet të ankorohet në BE për arsye historike dhe gjeopolitike. Megjithatë, uniteti nënkuptonte se nuk mund të ketë zgjerim përpara reformimit të unionit.

Dhe ky është një argument shumë i diskutueshëm, duke pasur parasysh se proçesi është së paku një dekadë i vjetër, ndaj ka pak justifikime në kërkesën e presidentit francez për të bllokuar hapjen formale të bisedimeve, që i hap rrugën një proçesi të gjatë dhe të vështirë.

Përveç kësaj, sa i përket balancës ligjore dhe politike të BE-së dhe funksionimit të saj, Maqedonia apo Mali i Zi – vende me respektivisht më pak se 2 dhe më pak se 1 milion njerëz – vështirë se mund të krahasohen me Turqinë ose Rumaninë. A ka vërejtur dikush ndonjë ndryshim të rëndësishëm në balancët e brendshme, që kur Kroacia u bë anëtare e BE-së në vitin 2013?

Macron deklaroi gjithashtu se “nuk do të ishte serioze të hapet një proçes i ri zgjerimi, pa kushte”, duke shtuar se Komisioni ka vënë në dukje çështje specifike si korrupsioni dhe emigracioni, për të cilat duhet bërë shumë më tepër. Por duhet të vihet në dukje, se asnjë proces zgjerimi nuk është hapur kurrë dhe nuk ka përfunduar pa kushte.

Për më tepër, ai deklaroi se vendet që punojnë shumë, si Maqedonia, duhet të shpërblehen.

Nuk mund të merret e mirëqenë që zgjerimi të përputhet natyrshëm me dizajnin e Macron për një Europë më demokratike. Ka pasur shpresa, veçanërisht në lidhje me ndryshimet pozitive në Maqedoni, se politika e zgjerimit do të ishte më shumë e natyrës politike, e bazuar në vlera, së bashku me synimet e Macron për Europën, kundër ndikimit të regjimeve jo liberale, brenda dhe jashtë BE.

Mjerisht, kjo nuk u materializua. Kështu, ajo që ende mungon është një politikë e zgjerimit, e hartuar sipas vizionit të vetë Macron mbi Europën, e prezantuar në Sorbonë, me qëllim që me fjalët e tij të tregojë se zgjerimi mund të shkojë krah për krah, me një ambicie të përtërirë europiane.

Ballkani është i vetmi rajon ku BE-ja ka fuqinë për të dizenjuar një realitet të ri, por është gjithashtu rajoni ku Europa ka dështuar më shumë. Referendumi në Maqedoni këtë vjeshtë, dhe zgjedhjet në Bosnjë në muajin tetor, duhet të ndiqen nga afër, për shkak të rezultateve të tyre të mundshme negative.

Pas një samiti në pritje të tensionuar të NATO-s, duke marrë parasysh pikëpamjet e Donald Trump mbi aleancën, nëse Europa dëshiron të bëhet një aktore e pavarur dhe e fuqishme, duke përfshirë si pikëpamjen ushtarake, por edhe ambicien e Macron, gjithçka fillon në Ballkan.

Shënim: Loic Tregoures, është lektor mbi analizën e konfliktit në Institutin Katolik të Parisit./ Në shqip nga Bota.al

Facebook Comments

MineralHygienics.com