LSI nuk do të hyjë sot në Kuvend për të ndjekur seancën parlamentare të lajmëruar për në orën 10:00. Kryetari i Grupit, Petrit Vasili, ka lexuar një deklaratë në të cilën i ka bërë të ditur kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit se nuk mund të hiqen sikur s’ka ndodhur gjë seancën e fundit, kur u bë manipulimi i votës lidhur me projektligjin e Teatrit.
Vasili tha: “Çdo standard i funksionimit ka rënë. Është vijimësi i të njëjtit standard, i cili i hoqi mundësinë dy javë më parë opozitës që të vazhdonte të fliste. Në përputhje me Rregulloren, kërkesa jonë për shkak të kësaj seance që është kërkuar pikërisht nga ju që të zhvillohet ditën e hënë, është depozituar dy ditë më parë, sikurse Rregullorja e kërkon. Pra ka qenë gjithë koha e nevojshme për të bërë gjithë investigimin e duhur për këtë çështje, pasi është fare e qartë që nuk mundet që Parlamenti të funksionojë si ditët e tjera, përderisa ka zgjedhur të funksionojë për ditën e hënë, sigurisht duhet ta bënte.
Është standard shumë i ulët, që u verifikua më në fund në sallën e parlamentit, ku vota u tjetërsua në mënyrën më të turpshme që mundet. Për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme që në këtë situatë ne të vazhdojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhe të jemi këtu dhe të ligjërojmë pikërisht për këtë gjë e cilai shte një emergjencë që duhet të verifikohej dhe nuk mund të hapej seanca. Pikërisht për këto arsye dhe kjo situatë e papranueshme bën që mos të vazhdojmë dot së bashku derisa kjo situatë të sqarohet dhe ky rivotim të kryhet.’