Parlamenti do të mblidhet në seancë plenare në orën 10:00, ku parashikohen të miratohen disa ligje përfshirë ndryshimin e disa taksave. Në rend të ditës është parashikuar diskutimi dhe votimi i ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar dhe ligji për sistemin e taksave vendore.
Këto tre ligje që përbëjnë paketën fiskale, parashikojnë uljen e taksave për personat që investojnë në agroturizëm. Gjithashtu parashikohet që Shkalla e tatimit mbi fitimin të jetë 5 për qind për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit, kush kalon këtë prag do të paguajë 15%.
Seanca parlamentare e kësaj të hëne do të jetë edhe një provë force për mazhorancën pasi në rend të ditës parashikohet edhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nisëm kjo që kërkon 84 vota.
Partia Demokratike e ka refuzuar këtë ligj, ndërsa ndër të tjera kusht ishte shkarkimi i kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Por deri pak ditë më parë Partia Socialiste shpresonte në konsensusin e LSI-së, moment që u zbeh në mbledhjen e fundit të Komisionit Ligjeve, pasi deputeti Nasip Naço u shpreh prerë kundër nismës, me pretendimin se kjo thellon kapjen e drejtësisë nga shumica.