4 korriku është afati i fundit për përdoruesit e qeseve plastike.
Zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi tha për ATSH-në se vendimi i miratuar dy muaj më parë parashikon gjoba me vlerë 10 deri në 15 milionë lekësh për ata që i përdorin pas afatit të lejuar qeset plastike.
Çuçi sqaron gjithashtu se gjobat do të jenë për subjektet që i tregtojnë apo prodhojnë këto ambalazhe plastike të pa riciklueshme ndërsa qytetarët përjashtohen nga ky penalizim.
Sipas vendimit të hyrë tashmë në fuqi parashikohet të hidhen në treg vetëm qeset e riciklueshme me specifika të përcaktuara. Qeset e riciklueshme do të hidhen në treg nën kontrollin e Ministrisë së Mjedisit dhe do të monitorohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, së bashku me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit.
Vendimi përcakton sistem të shënjimit dhe identifikimit të ambalazheve të plastikës dhe inicialet e prodhuesit, shenjën e aditivit vetëshkatërrues si edhe elementë të tjerë të sigurisë si data, muaj dhe viti i prodhimit. Veç kësaj, çdo ambalazh që ka një kontakt të drejtpërdrejtë me produktin ushqimor duhet të kenë shenjën përkatëse që është prodhuar për atë qëllim.
Prodhuesit, importuesit dhe tregtarët duhet të ruajnë këtë informacion për qeset plastike për jo më pak se 36 muaj me qëllim identifikimin e atyre që janë në treg, në të kundërt do të penalizohen.