Brenda 16 korrikut, mbi 11 mijë biznese të vogla duhet të deklarojnë për herë të parë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për periudhën prill-qershor 2018. Eksperti kontabël Bujar Bendo shpjegon se procesi i deklarimit kalon në tre hapa, duke filluar nga plotësimi i librave të blerjes e atyre të shitjeve dhe në fund tek deklarata finale e TVSH-së.
Në librin e blerjeve, bizneset duhet të regjistrojnë çdo faturë për mallrat që blejnë, por edhe shërbimet e tjera të domosdoshme për ushtrimin e aktivitetit.
“Në një faturë blerjeje janë të shënuara numri i serisë së faturës, data, emri i shitësit, rrethi dhe vlera totale e TVSH-së. Subjekti është i detyruar që çdo blerje malli, energjie, uji apo interneti do t’i hedhë në këtë libër dhe në fund del shuma totale e blerjeve”, shpjegon Bendo.
I njëjti parim ndiqet edhe për librin e shitjeve, ku bizneset duhet të regjistrojnë çdo shitje që bëjnë me faturë tek bizneset e tjera. Ndërsa për shitjet tek konsumatorët që regjistrohen në kasë procedura është më e thjeshtë: “Kemi rastet e shitjeve të subjekteve që ne përpilojmë faturë dhe në këtë rast do të vihet numri i faturës dhe numri serial i bllokut të TVSH-së, emri, NIPT-i dhe rrethi ku e kemi shitur, vlera me TVSH, vlera pa TVSH dhe vlera totale. Për të gjitha shitjet e tjera, nuk është nevoja të deklarojë çdo ditë shitjen e kasës”.
Librat e blerjeve dhe shitjeve duhet të dorëzohen brenda datës 10 korrik elektronikisht në faqen zyrtare të tatimeve. Pas dorëzimit të tyre, biznesi plotëson deklarimin e TVSH-së.
“Të gjitha shitjet, ato me faturë dhe me kasë, do të deklarohen këtu. Vlera neto dhe TVSH-ja për t’u paguar. Në rubrikën e blerjeve vendoset vlera neto dhe TVSH-ja e mbledhur. Diferenca midis TVSH-së në shitje të muajit dhe TVSH-së në blerje do të jetë diferencë për pagesë e plotësuar në deklaratë dhe gjeneron urdhër-pagesë për subjektin”, thotë Bendo.
Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet, deri në datën 16 korrik mbi 11 mijë biznese të vogla do të deklarojnë TVSH-në për herë të parë për periudhën prill-qershor 2018, sipas vendimit të qeverisë që e uli xhiron e hyrjes në TVSH nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë në vit.