Partia Demokratike ka bërë thirrje sërish sot se ka ardhur koha që kryeministri Edi Rama të largohet për t’i hapur rrugën integrimit europian të Shqipërisë.
Në një deklaratë nga selia blu, deputeti Flamur Noka citoi sot artikujt e shumtë të mediave të huaja për drogën që vazhdon të eksportohet nga Shqipëria dhe pastrimin e parave nga qeveritarët, në një kohë kur Shqipëria priste hapjen e negociatave me BE-në.
“Dëshmia e zyrtarëve të Policisë italiane dhënë gazetës franceze Liberation se në Shqipëri po mbillet kanabis me sasi të mëdha është dëshmi e faktit se Edi Rama po gënjen. Në Bari janë bllokuar 10 ton drogë vetëm 4 muajt e fundit, prodhim i muajve të fundit sipas analizave të kryera, që përkon me kohë kur Rama shpallte fitoren e luftës kundër kanabisit.
E vërteta është se lufta kundër trafikut të drogës është një nga kushtet e vëna Shqipërisë në këmbim të hapjes së negociatave. Edhe mediat europiane po e shprehin hapur se paratë e drogës janë të pushtetit. Shqiptarët dhe BE-ja nuk kanë asnjë dyshim se kjo qeveri e ka lidhur fatin e saj me krimin dhe drogën dhe tani është koha ta largojmë Edi Ramën dhe bandën e tij që t’i hapim rrugën Shqipërisë drejt Evropës”, theksoi Noka.