Duket se një pjesë e aktorëve dhe regjizorëve që i rezistuan deri tani projektit të qeverisë për teatrin kanë ndryshuar mendim. Me tre prej tyre, Arben Derhemin, Altin Bashën dhe Alfred Trebickën, kryebashkiaku ka pozuar në foto, që më pas e ka postuar në rrjetet sociale, duke njoftuar për marrëveshjen me aktorët.
Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt është arritur pakti me artistët për t’i dhënë zgjidhje Teatrit Kombëtar.
“Falë kontributit të secilit kemi një marrveshje më të mire dhe jemi sot gati të nisim negociatat për një Teatër të ri Kombëtar!” shkruan Veliaj.
Në dëgjesën e fundit që pati me artistët, Veliaj tha se ishte dakort që të mos prekej asnjë centimetër i truallit të Teatrit Kombëtar. Duket se pjesë e marrëveshjes me artistët është edhe një përfaqësi prej dy vetësh nga komuniteti i artistëve në negociatat me kompaninë Fusha sh.p.k, që do të paguajë për ngritjen e Teatrit të ri. Marrëveshja nënkupton edhe rrafshimin e godinës ekzistuese.
Por ndërsa ky grup artistësh tashmë mund të jenë të kënaqur me atë që kanë arritur, mbetet në fuqi procedura e jashtëligjshme e dhënies së një toke publike pa garë një kompanie private, e përzgjedhur nga vetë pushtetarët. Ndërsa artistët, po të duan, mund ta quajnë të fituar betejën e tyre, për qytetarët nuk ka asnjë fitore. Me pronën publike, po bëhet pazar hapur mes pushtetarëve dhe klientëve të tyre dhe këtë, askush nuk mundi ta ndalë.