Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka paralajmëruar Sllovakinë kundër ndikimit të George Soros, të cilin e quajti “një spekulator financiar i rrezikshëm”. Orbán e bëri paralajmërimin më 24 qershor në programin V Politike (Në politikë), në televizionin privat TA3, ku e diskutoi çështjen me homologun e tij sllovak Peter Pellegrini. Shumë njerëz në Hungari të angazhuar me OJQ-të punojnë për interesat e Sorosit, i cili përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Hungarisë, tha Orbán.
Për sa u përket ligjeve të kritikuara jashtë vendit, Orbán tha se qëllimi i kabinetit të tij ishte arritja e transparencës në financimin e OJQ-ve. Pellegrini reagoi duke thënë se edhe në Sllovaki duhej rritur transparenca për financimin e OJQ-ve. Ai pranoi se edhe Sllovakia do të forciojë ligjet e rregullat.
Në programin që pasoi “Samiti i Katërshes së Vishegradit (Çeki, Hungari, Poloni, Sllovaki) + Austria” të 21 qershorit, Orbán tha se presidenca hungareze e V4 kishte ardhur në një periudhë të veçantë historike, të cilën mund ta vazhdonte presidenca sllovake.
Në lidhje me krizën e refugjatëve, Orbán deklaroi se ka një marrëveshje midis katërshes për këtë çështje.
“Ne po mbrojmë veten kundër migracionit. Ne kemi një identitet të fortë kultural nga i cili nuk duam të heqim dorë, ndërkohë që vende nga rajone të tjera të Evropës po përballen me probleme dhe nuk po arrijnë të mbrojnë kufijtë, duke bërë që masa migrantësh të shfaqen në to”, tha Orbán. “Prandaj, roli ynë është të krijojmë bashkëpunim midis rajoneve lindore, perëndimore, veriore dhe jugore të Evropës. Evropa Qendrore ka ndërmarrë shumë aksione në lidhje me këtë”.
Presidenti sllovak Pellegrini vuri në dukje se gjatë presidencës hungareze grupi V4 është dëgjuar “mirë e me zë të lartë” në Evropë nën drejtimin e Orbánit. Ai shtoi se Sllovakia dëshiron të ndjekë dinamikën dhe efektivitetin e presidencës hungareze.
Duke folur për marrëdhëniet sllovako-hungareze, të cilat nuk janë gjithmonë pa probleme, Orbán tha se e sheh Sllovakinë si një partner pragmatik që nuk kërkon justifikime, por zgjidhje. Ai lëvdoi përkujdesjen e Sllovakisë për minoritetin e saj në Hungari. Orbán vuri në dukje edhe bashkëpunimin për refugjatët dhe falënderoi Sllovakinë për mirëkuptimin që Hungaria ka nevojë për ndihmë në mbrojtjen kundër migracionit të paligjshëm. Pellegrini e etiketoi marrëdhënien reciproke si joproblematike.Syri.net
Marrë nga Spectator.