December 23, 2024

FIFA merr vendim për “shqiponjat shqiptare” të Zvicrës

Tjetër humbje për Serbinë përballë shqiptarëve. Jo në CAS, por nga FIFA këtë herë. Një psherëtimë lehtësuese për Vladimit Petkovic dhe për kombëtaren zvicerane. Kjo e fundit mund të mbështetet te Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Stephan Lichtsteiner të mërkurën mbrëma në ndeshjen vendimtare për kualifikimin në 1/8 të finaleve “Rusi 2018” kundër Kosta Rikës.

FIFA, pak ditë më parë, kishte hapur një proces disiplinor ndaj tre lojtarëve sepse kishin performuar shenjën e shqiponjës me dy koka, simbol i Shqipërisë, pas golave të realizuar nga Xhaka dhe Shaqiri në ndeshjen kundër Serbisë.

Organi më i lartë i futbollit botëror, pasi ka vlerësuar situatën, ka vendosur të mos skualifikojë tre lojtarët, por të vendosë gjoba ndaj tyre. Për Xhakën dhe Shaqirin gjoba është rreth 10 mijë franga zvicerane, ndërsa për ish-mbrojtësin e Juventusit 5 mijë franga zvicerane.

Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner kanë shkelur nenin 57 të kodit disiplinor të FIFA-s, në kundërshtim me parimet e fair-play, por jo nenin 54 që parashikon një “Gjest provokues ndaj tifozerisë kundërshtare” .

Gjithnjë për të njëjtën ndeshje, është gjobitur me 50 mijë franga zvicerane Federata Serbe e Futbollit për qëndrimin e mbajtur ndaj tifozëve të saj, ndërsa trajneri Mladen Krstajic dhe Presidenti i Federatës Slavisa Kokeza me nga 5 mijë franga zvicerane për deklaratat e lëshuara pas ndeshjes.

Facebook Comments

MineralHygienics.com