December 24, 2024

Specat djegës, a e dëmtojnë beben brenda në mitër?

Tash kur jeni shtatzënë mund të bëheni merak se mos ndoshta ky “zjarr” që e qoni në bark mund ta dëmtojë beben brenda jush.
Specat djegës, pa marrë parasysh se sa djegës janë, aspak nuk e dëmtojnë beben. Për më tepër, bebes ju ia “kultivoni” shijen e ushqimit dhe duke marrë parasysh se bebja juaj e shijon ushqimin që ju hani, rrjedhimisht bebja juaj do t’i pëlqejë ushqimet që juve ju ka ënda – pra ka mundësi që bebja juaj kur të rritet gjithashtu do t’i pëlqejë specat djegës.
Nëse hani ushqim djegës ka mundësi që të keni më shumë probleme me urthin, pra do të keni djegie ose dhimbje prapa dërrasës së gjoksit dhe ndonjëherë shije të keqe në gojë. Kjo vjen për shkak të kthimit të përmbajtjes së lukthit në ezofag.
Kur hani ushqim djegës lukthi prodhon më shumë thartirë pë ta tretur ushqimin dhe kjo thartirë kthehet mbrapsht në ezofag duke shkaktuar urthin.
Përveç kësaj, progesteroni i cili prodhohet bollshëm gjatë shtatzënisë bën që muskuli i cili e bllokon kthimin e ushqimit nga lukthi në ezofag të jetë më i relaksuar dhe kështu kthimi i përmbajtjes së lukthit është më i kollajshëm.
Arsyeja e tretë e shfaqjes së urthit është se për shkak të rritjes së bebes, lukthi ka gjithnjë e më pak hapësirë për ta akomoduar ushqimin, prandaj thartira e lukthit s’ka ku shkon tjetër përveçse përpjetë, pra në ezofag. Ky fenomen quhet refluks gastrik.
Pra, specat djegës nuk janë të rrezikshëm për beben, por nuk është mirë që ta teproni, sepse mund të keni probleme me urthin.

Facebook Comments

MineralHygienics.com