November 24, 2024

Euro në rënie, Banka blen 118 milionë euro kredi të KESH

Monedha europiane vijon të zhvlerësohet kundrejt lekut edhe pas ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për blerje valute.
Pas katër ditësh forcim të euros kundrejt lekut, tashmë, prej 3 ditësh, euro vijon të pësojë rënie. Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dje një euro u këmbye me 126,11 lekë, me rënie prej 0,04 lekësh. Pavarësisht se rënia ishte më e lehtë se një ditë më parë, në kursin e këmbimit, euro vijon të zhvlerësohet.

Banka e Shqipërisë aktualisht ka ndërhyrë në tregun e brendshëm valutor, masë e cila u reflektua me katër ditë forcim të euros. Mësohet se Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë me blerjen e kredisë prej 118 milionë euros që KESH mori nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kredia do të përdoret për shlyerjen e borxheve që KESH ka ndaj bankave të nivelit të dytë.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare parashikonte që kredinë ta konvertonte në tregun e brendshëm valutor. Më herët, Guvernatori Gent Sejko, teksa paralajmëroi ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për blerjen e valutës në treg, artikuloi si faktor të zhvlerësimit të euros edhe kredinë që pritej të disbursohej për kompaninë publike.

Por, përveç konvertimit të kredisë së KESH, Banka e Shqipërisë ka blerë edhe dy herë të tjera euro në tregun valutor. Shifra e sasisë së euros nuk bëhet publike, po ashtu Banka e Shqipërisë vetëm ka shpjeguar se kjo do të jetë një masë e përkohshme, duke mos konkretizuar se sa duhet të jetë çmimi i drejtë i këmbimit të lekut kundrejt euros.

Banka e Shqipërisë ka përsëritur se operacionet e blerjes së euros nuk do të ndërhyjnë në kursin e këmbimit, por kanë si qëllim shmangien e këtyre turbulencave, me qëllim mbrojtjen e stabilitetit të çmimeve. Banka e Shqipërisë, për të ulur sasinë e euros në tregun valutor, mori edhe vendimin e normës bazë të interesit duke e zbritur atë në 1 për qind nga 1,25 për qind që ishte.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com