Çështja e Teatrit ka qenë dhe tema që gazetari Artur Çani e ka trajtuar në emisionin “Ajsberg” në ‘Fax News’ këtë të hënë.
Çani, ndërsa theksoi se historia e Ramës me Teatrin është e hershme, shtoi se në 2002 është bërë debat i madh për Teatrin, por godina e Teatrit kishte fituar përballë kryebashkiakut Rama.
Por sot mbrojtja është më e vështirë, pasi Rama është kryeministër dhe së bashku me Veliajn mund të çojnë në fund ‘punën’ e nisur para 20 vitesh afërsisht.
Por çfarë fshihet pas këmbnguljes së kryeministrit për shembjen e kësaj godine?
Aktori Arben Derhemi ka thënë për ‘Ajsberg’ se Rama ka një armiqësi të hershme me Teatrin Kombëtar, duke shtuar se pas këtij projekti fshihen miliona euro.
“Rama ka një armiqësi të hershme me Teatrin Kombëtar. Është dhe kompleksi që ka zoti kryeministër që theu kokën kur ishte kryebashkiak, kam përshtypjen se do I kthehet edhe tani në bumerang. Si mund të prishet një teatër ku punohet aktualisht? Unë mendoj se është një problem ekonomik, janë miliona euro në lojë. Qytetarët e Tiranës nuk mund ta lënë dot historinë e qytetit në dorë të një njeriu që nuk është në rregull”, tha Derhemi.
Nga ana tjetër regjizori Kastriot Çipi tha se historia e Ramës me Teatrin fillon kur ai ishte ministër i Kulturës, por shtoi se arsyet se pse duan ta shembin nuk dallojnë nga ata të mëparshmet.
Çipi deklaroi se rikonstruksioni dihet që nga 1999 që kushton 1 milionë dollar. Dukë parë këtë shifër dhe atë që ka parasysh qeveria është absurde të mendohet për shembjen.
“Ajo ndërtesë qysh prej vitit 1999 dihet se kushton 1 milionë dollarë për ta rikonstruktuar, në këto kushte mua më duket absurde që të shembet një ndërtesë më histori, kur është një kosto kaq e ulët e rikonstruksionit”, tha Çipi i cili shtoi se edhe kur është thënë se Teatri rrezikon shembjen, nuk ka pasur ekspertizë për këtë.