“Denoncohet ndërkombëtarisht grushti i shtetit brenda shtetit në Shqipëri! – Kështu ka deklaruar sot ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili në një shënim në Fb ka cituar Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, Tsereteli, i cili denoncon bllokimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë!”
“Asgjesimi i Gjykatës Kushtetuese, – shkruan Berisha, – me qëllimin makabër të shndërrimit të drejtësisë në Shqipëri në degë të Ekzektutivit, përbën një grusht të vërtetë shteti brenda shtetit, pasi “de fakto” fuqitë e saj i gëzon të gjitha, Ekzekutivi shqiptar dhe konkretisht Edvin Kristaq Rama. Kjo, sepse në mungesë të kësaj gjykate, ai dhe mazhoranca e tij e drogës mund të miratojnë çdo ligj, urdhër, udhëzim, marrëveshje antikushtetuese dhe askush nuk ia rrëzon më.
Sot qeveria dhe pushteti i Edvinit mund të dhunojnë çdo të drejtë të shqiptarëve dhe askush nuk i mbron dot më të drejtat e tyre.
Sot të gjitha gjyqet në Shqipëri fitohen nga qeveria e Noriegës dhe jo nga ata që kanë të drejtë, qytetarët apo bizneset. Me gjithë këtë, grushti i shtetit brenda shtetit, ky krim i shëmtuar kushtetues që u krye me qëllim shndërrimin e drejtësisë shqiptare në degë të Ekzekutivit, në Shqipëri mbahet i ndryrë nga autoret e tij në banesën e heshtjes apo errësirës.
Por kjo nuk ndodh dot në komunitetin ndërkombëtar. Gjatë një takimi të Asamblesë Politike të PPE-së, dje në Varshavë, Presidenti i Asambles Parlamentare të OSBE Tsereteli deklaroi:
“Sapo jam kthyer nga një vizitë në Shqipëri, ku u takuam me të gjithë drejtuesit e vendit dhe me kryetarin e opozitës. Ne pamë një situatë të ndërlikuar me reformën në drejtësi, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar. Ne besojmë se përveç kësaj, Reforma Zgjedhore është vendimtare. Duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon; e njejta situatë me Gjykatën e Lartë. Me të gjitha këto është shumë e vështirë të mbahet demokracia. Ndaj vemendja e BE-së, e institucioneve të BE-së dhe e OSBE-së janë shumë të rëndësishme.”
Këtu më poshtë keni raportimin e mediave për këtë,” përfundon shënimin ish-Kryeministri Berisha.
“OSBE në alarm për gjyqësorin në Shqipëri, Tsereteli denoncon bllokimin e Kushtetueses
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së George Tsereteli ka shprehur shqetësim në lidhje me situatën e drejtësisë në vend.
Në mënyrë të veçantë ai ka denoncuar problemet që i shkaktohen demokracisë në vend nga shpërbërja e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimi i Gjykatës së Lartë.
Gjatë një takimi të Asamblesë Politike të PPE-së, sot në Varshavë, Tsereteli pohoi:
‘Sapo jam kthyer nga një vizitë në Shqipëri, ku u takuam me të gjithë drejtuesit e vendit dhe me kryetarin e opozitës. Ne pamë një situatë të ndërlikuar me reformën në drejtësi, zbatimin e ligjit dhe luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar.
Ne besojmë se përveç kësaj, reforma zgjedhore është vendimtare. Duhet theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, e njëjta situatë me Gjykatën e Lartë. Me të gjitha këto është shumë e vështirë të mbahet demokracia. Ndaj vëmendja e BE-së, e institucioneve të BE-së dhe e OSBE-së janë shumë të rëndësishme.”
George Tsereteli është politikani i parë, i cili ngre problemin e bllokimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri si pasojë e mos krijimit në kohë të institucioneve të reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësi.
Gjithashtu, ai ka risjellë në vëmendjen publike rëndësinë e kryerjes së reformës zgjedhore, për të shmangur krizat politike që burojnë kryesisht nga mungesa e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira.
Deri tani përpjekjet për një reformë zgjedhore kanë dështuar.”