Avokati i Popullit ka reaguar sot për dhunën e ushtruar gjatë protestës së opozitës më 26 maj, “si nga protestuesit ashtu edhe nga ana e Policisë”,siç cilësohet në deklaratën për shtyp, pasi ka bërë ditur se komisionerët e këtij institucioni kanë qënë prezentë gjatë protestës si dhe në zhvillimet që e pasuan. AP njoftoi se ka nisur një hetim të pavarur mbi dhunën e ushtruar mbi kryeredaktorin e RD, Blendi Kasmin dhe ka theksuar se është shqetësuese e me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve, sjellja e Policisë në ambiente të mbyllura dhe sheshe.
“Në lidhje me episodet e dhunshme gjatë protestës së ditës së shtunë të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas pranë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme, sërish Avokati i Popullit ka qenë present me një numër të madh ekspertësh në terren për të ndjekur dhe monitoruar gjithçka nga afër, – thuhet në në njoftim. – Përfaqësuesit e Institucionit, gjithashtu kanë ndjekur edhe në Spitalin e Traumës gjendjen e të dëmtuarve, si nga ana e protestuesve edhe nga ana e punonjësve të Policisë.
Për këtë rast Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim të pavarur institucional si për veprimet e punonjësve të Policisë ndaj një gazetari të dëmtuar në protest, po ashtu edhe të protestuesve ndaj punonjësve të Policisë apo pronës publike të dëmtuar gjatë incidenteve.”
Avokati i Popullit ka theksuar në njoftim shqetësimin për veprimet e Policisë së Shtetit, që kanë pasur pasoja të rënda për qytetarët: ”
Institucioni i Avokatit te Popullit gjen rastin të nënvizojë se konstaton në vazhdimësi veprime shqetësuese ndaj qytetarëve në ngjarje të caktuara në përballjen me veprimtarinë e organeve të Policisë në ambiente të mbyllura apo sheshe publike, shoqëruar me pasoja të rënda për jetën e tyre, sikurse janë ngjarjet e bëra publike edhe ditëve të fundit në Korçë, Vlorë, Shkodër apo Tiranë.”