Kukësi është në kërkim të një sulmuesi që të bëjë diferencën, pasi largimi i Gurit, Bakajt e Baldesë kanë lënë një boshllëk të madh në sektorin ofensiv.
Kupat e Europës janë mision i pamundur pa një sulmues kalibri, ndaj dhe verilindorët e kanë kuptuar mirë këtë gjë.
Pas akordit me Arlind Kalanë e Vllaznisë, drejtuesit janë në gjurmët e një lojtari që jep garanci në vijën e parë.
Sipas “Panorama Sport”, është vetë trajneri Peter Pakult ai që po ndjek sulmuesin e Basano Virtus në Serinë C italiane, Abou Diop.
Bëhet fjalë për një sulmues senegalez, i cili ka përvojë mjaft të gjatë në futbollin italian, pasi ka qenë pjesë e Torinos, Juve Stabias, Krotones, Ternanas, Leçes, Modenës.
Sulmuesi nga Senegali i datëlindjes 6 tetor 1993 ka bërë një sezon shumë të mirë këtë vit me Basano Virtus, ku ka luajtur plot 35 takime, 28 nga të cilat si titullar.
Pra, është një titullar i padiskutueshëm në ekipin e tij, ku ka shënuar 8 gola.
Trajnerit Pakult ia kanë sugjeruar lojtarin e ai po e ndjek me vëmendje atë, e nëse do bindet, Kukësit do i duhet të bjerë dakord me klubin e Torinos për ta huazuar lojtarin, pasi Diop është në pronësi të skuadrës që merr pjesë në Seria A.
Austriaku parashikohet të jetë brenda javës së ardhshme në kryeqytet. Objektiv më vete përforcimi i skuadrës, që ajo të ketë një paraqitje sa më dinjitoze nga Kupat e Europës, ndërsa objektivi i presidentit Gjici është që skuadra të shkojë sa më larg, çka do të thotë më shumë të ardhura