Jane jo të pakta janë rastet kur për shkaqe nga më të ndryshmet kompanitë ajrore mund të vonojnë fluturimin çka rezulton në dëm të pasagjerëve. Në këto raste, këta të fundit mbrohen me politika të veçanta kompensimi të cilat në Shqipëri edhe pse kanë nisur të aplikohen së fundmi pritet të ndryshojnë sipas Kodit të ri Ajror.
A e dini se kjo shumë mund të arrijë deri në 5 mijë euro për pasagjer. Në mbledhjen e saj të fundit qeveria miratoi pikërisht Kodin e ri i cili në kapitullin e tretë “Përgjegjësia kontraktuese” neni 143 analizon vonesat në transport. Në këtë nen përcaktohet se transportuesi është përgjegjës për dëmtimet e shkaktuara nga vonesat në transportimin ajror të pasagjerëve.
Por edhe në këtë rast ka një përjashtim. “Transportuesi nuk është përgjegjës për dëmet, shkaktuar nga vonesa, kur provon se ai, punonjësit dhe agjentët e tij morën të gjitha masat e mundshme, për të shmangur dëmtimin, ose kur provon se marrja e masave të tilla ishte e pamundur” thuhet në Kodin e ri Ajror.
I njëjti përcakton se në rast dëmi, të shkaktuar nga vonesa në transportimin e një personi, përgjegjësia e transportuesit për çdo pasagjer kufizohet deri në 4 150 SDR që llogaritet pak më shumë se 5000 euro (SDR është monedha e FMN e rënë dakord për t’u përdorur në Konventën e Montrealit).
Ky kufizim nuk respektohet në rast se provohet që dëmtimi shkaktohet nga neglizhenca e transportuesit, punonjësit ose agjentëve të tij, e bërë me qëllim për të shkaktuar dëm” thuhet në nenin 143.
Kompensimi për bagazhet
I njëjti Kod trajton në një nen të veçantë edhe mënyrën sesi bëhet kompensimi për bagazhet e dëmtuara. Kjo shumë mund të arrijë deri në 1200 euro ndërkohë që të gjitha detajet e tjera përcaktohen në shtatë pika të nenit 144.
“1. Transportuesi është përgjegjës për dëmet e shkaktuara në rast shkatërrimi, humbjeje ose dëmtimi të bagazheve të dorëzuara (checked baggage), kur këto veprime ndodhin në bordin e avionit apo gjatë periudhës në të cilën bagazhi i dorëzuar është në përgjegjësinë e transportuesit. Transportuesi nuk është përgjegjës kur dëmtimi rrjedh nga një defekt i trashëguar, cilësi ose cen i bagazhit.