Do të mbahet mend si një ndër protesta me pjesëmarrjen më të ulët qytetare që kanë organizuar ndonjëherë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste që nga themelimi i tyre. Protesta e djeshme, për rrëzimin e qeverisë ‘Rama 2’ dhe krijimin e një qeverie teknike, është e pakrahasueshme me çdo protestë tjetër të mëparshme, të organizuara nga PD, LSI apo të dyja së bashku, sa i takon pjesëmarrjes. Për rrjedhojë, organizatorët e protestës, port herë të parë, nuk kanë artikuluar shifra deri në 50 herë më të larta, sa i takon pjesëmarrësve në protestë. Pamjet nga lart treguan se pjesëmarrja në protestën e bashkuar PD-LSI ka qenë jashtëzakonisht e ulët.
Sikur dukej nga pamjet, sheshi para Kryeministrisë, ishte pothuajse bosh. Refuzimi në masë i demokratëve dhe i mbështetësve të LSI për të dalë në protestë mundësoi edhe dështimin e planit të opozitës kundër qeverisë me anë të dëshmitarit X, i njohur edhe si ‘Babalja’. Në protestën e djeshme kishte më pak protestues se çdo herë tjetër kur ka protestuar opozita. Ndërkaq, lidhur me këtë fakt ka reaguar deputetja e LSI, Floida Kërpaçi e cila ka thënë se policia ka bllokuar mbështetësit e kësaj force politike që të mbërrinin në Tiranë.
“Mjaft aktivistë të LRI u bllokuan nga policia. U pengua ardhja e të rinjve. Kjo tregon se Edi Rama ka frikë, ka frikë nga qytetarët”, ka pohuar Kërpaçi. Gjithsesi, duke qenë se kjo protestë ishte e përbashkët, nuk dihet se cila ka kontribuar më shumë PD apo LSI në boshatisjen e sheshit para Kryeministrisë.
Paralajmërohen krerët e degëve
Mbyllja e protestës së djeshme është shoqëruar me lëvizje intensive, nervozizëm dhe paralajmërime në kampin e opozitës. Burime pranë Partisë Demokratike thanë se mungesa e pjesëmarrjes në protestë në raport me parashikimet, ka përplasur organizatorët kryesorë të protestës me krerët e degëve të Partisë Demokratike.
Disa ditë më parë, në kuadër të përgatitjeve për protestën, kryetari i opozitës, Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje me kryetarët e degëve të PD, të cilët i porositi për të maksimizuar pjesëmarrjen në protestë. Pjesëmarrja masive ishte deklaruar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani, si mesazhi i kësaj proteste. Por, pas boshatisjes së sheshit, krerët e degëve të PD janë paralajmëruar se do të mbajnë përgjegjësi. Ndërkaq, krerët e degëve kanë pretenduar se shkak për pjesëmarrjen e ulët ka qenë LSI, e cila nuk i ka angazhuar mbështetësit e saj. Por, përfaqësuesit e LSI kanë pohuar se mbështetësit e saj kanë marrë pjesë 100 %./Shqiptarja