November 27, 2024

Kontroll udhëtarëve në pikat kufitare shqiptare nga SHBA

Kontrolli i udhëtarëve në pikat kufitare shqiptare së shpejti do të bëhet nga SHBA që do të instalojë sistemin e monitorimit.

Sipas dokumentit të depozituar në Kuvend, ky projektligj ka për qëllim ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal (PISCES).

Me anë të këtij memorandumi, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës bien dakord që kjo e fundit të instalojë Sistemin për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES), për monitorimin e lëvizjes së udhëtarëve në pikat e kontrollit kufitar që do të përcaktohen bashkërisht nga palët. Nëpërmjet bashkëpunimit të qeverisë së Shqipërisë, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të instalojë dhe do të mirëmbajë të gjitha pajisjet elektronike të nevojshme për funksionimin e sistemit PISCES, duke filluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në vijim, instalimi i sistemit PISCES do të zgjerohet edhe në aeroporte apo pika të tjera kufitare, të caktuara nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bazuar në përcaktimet e memorandumit, qeveria e Shqipërisë do të fillojë përzgjedhjen e personelit që do të operojë me sistemin PISCES dhe do ta mirëmbajë atë. Trajnimi i personelit, me qëllim dhënien e njohurive të duhura dhe krijimin e kapaciteteve të kualifikuara, do të realizohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miratimi, në parim, i memorandumit është bërë me vendimin nr.479, datë 28.6.2017, të Këshillit të Ministrave, ndërsa nënshkrimi në datën 22 mars 2018.

Projektligji “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)” hartohet në përputhje me programin politik të qeverisë shqiptare, kapitulli “Shteti i së drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë/Krimi i organizuar, terrorizmi e trafikimi”.

Me anë të këtij memorandumi do të ngrihet një sistem i cili shton disa elemente sigurie të kontrollit në pikat e kalimit kufitar. Elementi kryesor është ai i të dhënave biometrike të cilat do të identifikojnë edhe raste të vështira për t’u zbuluar nëpërmjet sistemit aktual. Gjithashtu, instalimi i këtij sistemi do të shoqërohet me një rinovim të infrastrukturës, duke pajisur çdo punonjës me kompjuter, lexues dokumentesh, lexues gjurme gishti, kamera për kontrollin e fytyrës. Këto të dhëna do të krahasohen me regjistrat e Interpolit dhe të FBI-së, duke na dhënë një përparësi në zbulimin dhe ndalimin e personave të kërkuar në nivel ndërkombëtar.

Projektligji është hartuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me ligjin nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, si dhe është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi.

Ky projektligj nuk parashikon përafrim me acquis të Bashkimit Evropian.

Facebook Comments

MineralHygienics.com