Aeroporti i Rinasit ka thyer një tjetër rekord në vitin 2017 duke regjistruar një fitim dhe normë kthimi nga të ardhurat në rritje për të disatin vit radhazi, teksa pothuajse gjysma e të ardhurave përfundojnë si fitime në xhepat e kompanisë.
Tirana International Airport ka publikuar bilancin e saj financiar për vitin 2017. Fitimi para tatimit i kompanisë ka shënuar vlerën 2.8 miliardë lekë (21 milionë euro) duke u rritur me 22 për qind në raport me vitin 2016, ndërkohë që fitimi neto (para taksave) është 2.2 miliardë lekë. Norma e fitimit (fitim bruto/ardhura) është rritur më tej, duke prekur 47 për qind çka do të thotë që në çdo 100 lekë të ardhura 47 janë fitim i kompanisë. Një vit më parë, norma e fitimit ishte 44%.
Të ardhurat kanë pësuar një zgjerim me 13.9 për qind në raport me vitin 2016, duke shënuar nivelin e 5.9 miliardë lekëve. Ky është niveli më i lartë i të ardhurave që ka regjistruar TIA (Tirana International Airport) që kur ka marrë menaxhimin në vitin 2004 në formën e koncesionit.
Kompania ka paguar më shumë tatimfitim në vitin 2017 duke shënuar një shifër prej 534 milionë lekësh, apo 22.3 për qind më shumë se një vit më parë.
Paralelisht me fitimin kompania ka rritur edhe shpenzimet për personelin me 12.8 për qind në vitin 2017. Këto shpenzime kapën vlerën 625 milionë lekë. Rritje të dukshme me 11 për qind kanë pësuar edhe shpenzimet e përgjithshme administrative duke u fiksuar në 1 miliardë lekë. Sakaq për tarifën e koncesionit në vitin 2017 u paguan 685 milionë lekë apo 22 për qind më shumë se një vit më parë.
Megjitathatë, të ardhurat janë zgjeruar me ritme më të larta sesa shpenzimet, duke i mundësuar kompanisë të rrisë normën e fitimit me 3 pikë përqindje në 47%, duke e renditur TIA-n ndër kompanisë më fitimprurëse në vend.
Përtej tarifave që aplikohen nga aeroporti dhe që janë lakuar shpesh si të kripura duket se fitimi i vitit 2017 argumentohet edhe me disa zhvillime të tjera të rëndësishme. Së pari është numri i shtuar i charterave që sillnin turistë nga Polonia, Çekia apo Hungaria. Së dyti është shtimi i disa destinacioneve të reja siç ishte ajo me Amsterdamin nga maji i 2017 operuar përmes Transavias ndërkohë që në prill të 2017 nisën fluturimet edhe nga kompania tjetër Wizz Air drejt Budapestit.
Koncesioni u shit në 2016, pronari “offshore”
Në mars të vitit 2016 qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë. Ndërkohë që në tetor 2016 u finalizua shitja e kuotave të koncesionit tek kompania offshore REAL FORTRESS PRIVATE LIMITED, një kompani offshore me seli në Singapor.
Heqja e ekskluzivitetit i dha TIA-s dy vite shtesë nga koncesioni duke çuar afatin e ri në 2027 për përfundimin e kontratës, në këmbim të hapjes së Aeroportit të Kukësit, i cili edhe sot është jo funksional. Shtyrja e kontratës koncesionare me dy vjet, në një kohë që Kukësi nuk u vu në punë, i mundësoi TIA-s fitime rekord edhe në 2017-n.
Nëse do të hyjë në lojë edhe Aeroporti i Vlorës i cili po lakohet shumë së fundmi TIA mund të marrë 2.5 vjet të tjera shtesë, nëse nis operimi në vitin 2020, 2 vite shtesë nëse nis në 2021 kështu me radhë, duke zbritur 0.5 vjet vit pas viti për t’u zeruar nëse aeroporti i dytë në vend hyn në funksion në vitin 2025. /Monitor/a.m.