Dy vite burg për Nikolla Gruevskin. Prokuroria speciale shpalli verdiktin e parë në të cilin i akuzuar ishte ish kryeministri Nikola Gruevski. Ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë për ta dëgjuar vendimin për blerjen e Mercedesit të blinduar në vlerë prej më shumë se gjysmë milioni euro. Vendimin ndërkohë e dëgjoi i akuzuari tjetër, Gjoko Popovski. Ai me pranga në duar nga burgu i Shutkës u soll në gjykatë, pasi dje për rastin “Treqind” për blerjen e 300 automjeteve për policinë, iu shqiptua masa e paraburgimit. Ish ndihmës ministri i brendshëm për rastin “Tanku” u dënua me 6 vjet gjysmë burg.
I akuzuari Gjoko Popovski është fajtor për kryerjen e veprës penale, keqpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare nga neni 353 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit penal. I akuzuari Nikolla Gruevski është fajtor për veprën penale pranim të dhuratës për ndikim antiligjor sipas nenit 359 paragrafi 2 nga Kodi penal. Sipas dispozitave të përmendura ligjore si nenet 4, 32, 33, 34, 35 dhe 39 nga Kodi penal, gjykata, të akuzuarin Gjoko Popovski e dënon me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 vjetëve e gjatë muajve. Të akuzuarin Nikolla Gruevski e dënon me dënim me burg prej 2 vjetëve – deklaroi Dobrilla Kacarska, gjykatëse.
Gjykatësja Kacarska sqaroi se vepra për blerjen e Mercedesit luksoz nuk është vjetruar pasi kundër Nikolla Gruevski paralelisht zhvillohen edhe 4 procese tjera.
Qytetarët e Maqedonisë duhet doemos të dinë se si shpenzohen paratë e tyre dhe të gjitha furnizimet publike që zbatohen janë me paratë e obliguesve tatimor. Askush, e më së paku bartësit e posteve publike, e këtu gjithsesi bën pjesë edhe kryeministri, nuk guxon t’i nënçmojë dhe përçmoj qytetarët ashtu siç në fakt ka vepruar i akuzuari Nikolla Gruevski, në atë mënyrë që ka arritur të sigurojë për vete në mënyrë të paligjshme automjet për udhëtarë të lloji Mercedes 600 gard – u shpreh Dobrilla Kacarska, gjykatëse.
Avokatët e Nikolla Gruevskit kanë pritur lirimin e klientit të tyre pasi sipas tyre nuk ka pasur bazë që ndonjëri prej tyre të dënohet. Kuptohet se jemi të pakënaqur dhe do të parashtrojë ankesë serioze kundër aktvendimit të kësaj gjykate – tha Dimitar Dangov, avokat i Nikolla Gruevskit.
Gazetari: Z. Dangov, ku është Gruevski, pse nuk erdhi?
Ky është vlerësim i tij – u përgjigj Dangov.
Avokatët nuk u përgjigjën saktësisht se pse Gruevski nuk erdhi për të dëgjuar verdiktin ndonëse sot në mëngjes ai u paraqit në gjykimin për provizionet që supozohet të jenë marrë për autostradat kineze dhe kërkoi shtyrjen e procesit për shkak se është dashur ta dëgjojë vendimin për rastin „Tanku“. Ndryshe, Gjoko Popovski dje u dënua me 9 vjet burg për furnizimin me 300 automjete policore dhe menjëherë iu shqiptua paraburgimi për shkak se specialja dyshonte se mund të arratiset. Me vendimin e sotëm Popovskit do të vuaj gjithsej shqiptuar 15 vite gjysmë burg./alsatm