Zhduket pa lënë gjurmë prej 5 ditësh një 29-vjeçar nga Vlora. Familjarë të tij pretendojnë se i riu ka dalë një ditë të bukur nga banesa dhe i ka thënë nënës se po shkonte në spital, për t’u vizituar për shqetësimet që ndiente me shtyllën kurrizore.
Personi i zhdukur quhet Kleant Çela, për të cilin Policia nuk ka dijeni, pasi aty nuk është paraqitur deri sot asnjë familjar për të bërë denoncim.
E vetmja deklaratë është në Prokurori, ku persona të afërt të Çelës kanë rrëfyer edhe për një letër që ai ka lënë për familjen dhe të fejuarën.
Në letër thuhej: ‘Po iki përgjithmonë nga shtëpia, po iki jashtë Shqipërisë, mos më kërkoni më, ju uroj gjithë të mirat’.
Vetë familjarët nuk kanë një shpjegim për këtë veprim të të riut. Në një lidhje telefonike për Report Tv nëna e tij, Mbaresa Çela i bën thirrje që të telefonojë dhe të njoftojë se është mirë, pasi nuk duan asgjë tjetër.
“Ka qenë djalë shumë i rregullt, nuk ka pasur probleme. I lutem shumë të më bëj një telefonatë, që të më thotë se jam mirë, nuk dua asgjë tjetër”.
Kleanti ishte i fejuar dhe kishte 3 vite që ishte kthyer nga Anglia, ndërsa atje kishte qëndruar rreth 6 vite.