Për më shumë se një dekadë, liderët e korporatave dhe të politikës në Kinë, i janë drejtuar korporatave në të gjithë botën, me një sasi të palimituar të parave. Sipas një analize të agjencisë mediatike në SHBA, “Bloomberg“, Kina ka blerë aktive europiane që arrijnë të paktën 318 miliardë dollarë, në 10 vitet e fundit. Gjatë kësaj periudhe, Europa ka pasur 45% më shumë aktivitete të lidhura me Kinën se sa Shtetet e Bashkuara.
Volumi dhe karakteristikat e këtyre investimeve, që variojnë nga infrastruktura e rëndësishme në Europën Lindore dhe Jugore e deri te kompanitë e teknologjisë së lartë në perëndim, kanë nxitur shqetësime në nivel të Bashkimit Europian. Liderë si kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë bërë thirrje për një strategji të përbashkët që të frenojnë përhapjen e shpejtë të Kinës në Europë, gjë që është përballur me kundërshti nga vendet periferike.
Sipas të dhënave mbi 678 marrëveshje korporative në 30 vende që prej vitit 2008, te të cilat kushtet financiare janë publikuar, kompanitë kineze, private dhe të mbështetura nga shteti, janë përfshirë në ujdi që arrijnë vlerën e 255 miliardë dollarëve në të gjithë kontinentin. Në këto marrëveshje, 360 kompani janë marrë në zotërim, përfshirë prodhuesin italian të gomave, “Pirelli“. Ndërkohë, entet kineze zotërojnë pjesërisht apo plotësisht të paktën 4 aeroporte, 6 porte detare dhe 13 ekipe profesioniste të futbollit. Megjithatë, të dhënat e disponueshme “fshehin” përmasën e vërtetë të ambicieve të Kinës në Europë.
Sipas “Bloomberg“, ekzistojnë 355 shkrirje, investime apo sipërmarrje të përbashkëta, kushtet e të cilave nuk janë shpalosur. Ndër këto është edhe blerja e aksioneve në vlerën e 9 miliardë dollarëve të “Daimler“, prodhuesin e “Mercedes-Benz“, nga kompania kineze, “Geely Holding“. Duke e ndarë në kategori, firmat kineze kanë zotërime kryesisht në: skuadra futbolli, aeroporte, porte detarë, nxjerrjen e naftës, energjinë e rinovueshme, centrale bërthamore dhe prona të paluajtshme. Blerjet janë më të dukshme në Britani, ku firmat kineze zotërojnë 7 ekipe futbolli dhe një numër të madh të pronave të paluajtshme në qendrën financiare të Londrës.
Ku është përqendruar paraja kineze
Viti më i rëndësishëm për arritjen e ujdive nga firmat kineze në Europë është 2016-a, ku Korporata Kombëtare e Kimikateve në Kinë, e njohur si “ChemChina“, lajmëroi se do të blejë prodhuesin zviceran të pesticideve, “Syngenta“, për 46.3 miliardë dollarë. Duke përjashtuar peshën e madhe që zë blerja e “Syngenta“, ekziston një trend rritës në vitet e fundit, në mbi 20 miliardë dollarë çdo vit, pas 2014-ës. Duke përfshirë vetëm marrëveshjet, kushtet financiare të të cilave janë publikuar, mesatarja është dukshëm më e ulët.
Më shumë se gjysma e totalit të investimeve është përqëndruar në 5 ekonomitë më të mëdha të Europës, ndërkohë që kinezët kanë marrë pjesë në marrëveshje prej 70 miliardë dollarë vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, janë vendet periferike ku Kina ka ndërmarrë disa nga investimet më strategjike, si blerja e portit të Pireut në Greqi. Ekziston një ndasi në vendet europiane mbi hapjen ndaj investimeve kineze. Gjermania, Franca dhe Italia kanë bërë thirrje për një mekanizëm të mbikëqyrjes së këtyre investimeve për të gjithë Bashkimin Europian, ndërsa Greqia, Portugalia dhe Qipro, kanë treguar qasje skeptike mbi këtë lëvizje, duke argumentuar se do të cënonte aftësinë e vendeve të tyre për të tërhequr kapitalin.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Australi ekziston një mekanizëm i tillë, që shpjegon se pse Europa po “fiton” pjesën më të madhe të investimeve kineze.
Edhe pse blerjet variojnë nga pronat tregtare në Londër, kompanitë e teknologjisë në Gjermani, si prodhuesi i robotëve, “Kuka AG“, e deri te prodhuesit skandinavë të makinave si “Volvo“, investimet kineze janë përqëndruar në disa industri kryesore.
Sipas “Bloomberg“, industritë ku përqendrimi është më i dukshëm janë: financat, energjia tradicionale, ndërtimi dhe ushqimi. “Fosun International“, mori pjesë në një nga marrëveshjet më të mëdha të privatizimeve në Portugali, duke blerë 80% të njësisë së sigurimeve të bankës së dytë më të madhe në vend, “Caixa Geral de Depositos“, në vitin 2014. Në 2013-ën, Korporata Kombëtare e Naftës në Kinë, bleu aksione në vlerën e 4 miliardë dollarëve në njësinë e Afrikës Lindore të gjigantit italian të energjisë, “Eni“. Konglomerati kinez, “HNA“, që zotëron edhe një pjesë të “Deutsche Bank“, pagoi 2.8 miliardë dollarë për ofruesin e shërbimit të mirëmbajtjes së aeroporteve, “Swissport International“. Një tjetër blerje që ndan qasjen kineze në kategori, është marrëveshja prej 1.2 miliardë dollarë e “Bright Food Group“ në vitin 2012, për kompaninë e drithërave në Britani, “Weetabix“.
Firmat kryesore janë të mbështetura nga shteti
Në total, më shumë se 670 ente kineze kanë investuar në Europë që prej vitit 2008. Prej tyre, më shumë se 100 janë kompani të mbështetura nga shteti, që në mënyrë kolektive kanë ndërmarrë transaksione prej të paktën 162 miliardë dollarë, apo 63% të vlerës totale të këtyre ujdive. Por, linja mes ndërmarrjeve shtetërore dhe private është më pak transparente në Kinë se sa në Europë. Grupi “Cosco“, që po sfidon dominimin e Europës në transportin detar të mallrave, përbëhet nga degë të tregtuara në publik të kompanisë shtetërore, “Ocean Shipping Group“. Kjo e fundit ka blerë aksione dhe operon në porte nga Bosfori e deri në Detin Baltik.
Tetë nga dhjetë blerësit më të mëdhenj janë kompani të mbështetura nga shteti. Ndër kompanitë shtetërore me prezencën më të madhe në blerjet në Europë janë: Korporata Kombëtare e Kimikateve e Kinës, Korporata e Investimeve e Kinës, Korporata e Aluminit dhe “Avic Capital“.
Kompanitë kineze kanë shprehur interes në shumë marrëveshje europiane që nuk janë lajmëruar ende në mënyrë zyrtare. Sipas të dhënave të Këshillit Europian mbi Marrëdhëniet e Jashtme (ECRF), këto përfshijnë; ndërtimin e reaktorëve bërthamorë në Rumani dhe Bullgari, blerjen e një terminali të konteinerëve në Kroaci, ndërtimin e një porti në Suedi, marrjen në zotërim të prodhuesit çek të makinave, “Skoda”, krijimin e një prodhuesi të naftës dhe gazit në Irlandë, një operator të energjisë elektrike në Gjermani, ofrimin e financimit për një urë në Kroaci si dhe një linjë hekurudhore mes Budapestit dhe Beogradit./SCAN Magazine.