“Derisa ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj të japë dorëheqjen nuk do të ketë as seancë dhe as komisione normale”. Ky është paralajmërimi që Partia Demokratike i ka bërë sot, qeverisë nga salla e Komisionit të Edukimit.
Paralajmërimi i është drejtuar kryeministrit dhe qeverisë nga kreu i Grupit të PD, Edmond Spaho, i cili bashkë me deputetët e këtij komisioni kanë hyrë të gjithë në komision dhe nuk kanë lejuar zhvillimin e punimeve, por i kanë mëshuar me forcë denoncimeve të forta lidhur me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, ka debatuar me kolegët e PS-së duke u thënë se çfarë diskutimi mund të bëjmë ne për trashëgiminë kulturore, kur po i lini drogë dhe drogë fëmijëve tanë. “Mos heshti, mos u bëni palë me krimin shtetëror,” bëri thirrje Vokshi.