Akti solemn nuk mund të ishte më i madh dhe më francez në bashkinë e Ahenit. Për të përshëndetur mbajtësin e sivjetëm të Çmimit Karl i Madh, Emmanuel Macron u intonua uvertura nga “La Bourgeois Gentilhomme” e Molierit, me muzikë të Jean-Baptiste Lully, e shfaqur si premierë për Ludvigun XIV, mbretin e diellit, në Oborrin e Versajës.
Emmanuel Macron është burri i dytë i shtetit pas François Mitterand-it që e merr Çmimin Karl i Madh për “vizionin e tij frymëzues për rithemelimin e Projektit Evropian dhe për luftën e tij pasionante kundër nacionalizmit dhe izolacionizmit”, ky është motivacioni për Çmimin. Si bartës i shpresave, i cili jep “impulse të reja”, si “mendimtar i guximshëm pararojë për ripërtëritjen e ëndrrës evropiane”. Këtë guxim Macroni ia tregoi Evropës kur e mori postin e Presidentit nën tingujt e Himnit Evropian. Dhe si mendimtar pararojë u pozicionua ai me fjalimin e tij që tërhoqi shumë vëmendje dhe që u komentua shumë në Sorbonë vjeshtën e kaluar, ku ai u shpreh për një Evropë përparimtare, të mëvetësishme.
Fjala për nder të tij: më shumë personale se politike
Me ankth pritet fjala për nder të Macronit nga ana e kancelares gjermane. Me të lidhet shpresa, që Angela Merkel do t’u japë tani përgjigje propozimeve të tij për reforma për BE – këtu në Ahen, në këtë vend, ku që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore janë nderuar për angazhimin e tyre për Evropën arkitektë të mëdhenj të bashkimit të Evropës, si Robert Schumani. Por shpresa zhgënjehet.
Në një fjalim krejtësisht personal, Angela Merkeli e çmon zellin e palodhshëm të Presidentit francez dhe “entuziazmin e tij, me të cilin ai është në gjendje të marrë me vete të lëkundurit”. Në pika thelbësore ajo megjithatë mbetet te e përafërta. Kur Emmanuel Macron flet në Ahen sërish në favor të një buxheti të Eurozonës dhe për më shumë kompensim fiskal, Angela Merkeli mbetet në terrenin e zakonshëm. Ajo nuk i përgjigjet kërkesës së Macronit për të hequr dorë nga tabutë nacionale dhe për të lejuar për shembull shërbime transfertash brenda BE. Në vend të kësaj ajo bën një kthim pas në histori dhe flet për meritat e “projektit të paqes” Evropë.