November 27, 2024

‘Jemi me ju deri në fund’: deputetët e opozitës të vetmit në takim me artistët e Teatrit

“Jemi me ju deri në fund! Deputetët e opozitës, përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe këshilltarët bashkiakë opozitarë, kanë shprehur dje mbështetjen e tyre ndaj kauzës së artistëve dhe qytetarëve në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar.

Me ftesë të Aleancës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe SASE-s (Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit), në takimin e radhës morën pjesë edhe deputetët të Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse ftesa u ishte drejtuar të 140 deputetëve, vetëm ata opozitarë e pranuan atë dhe morën pjesë në takim.

I njëjti skenar edhe me këshilltarët bashkiakë. Të majtët munguan. Takimi nuk u zhvillua si zakonisht në oborr të Teatrit Kombëtar, por në sallën e Teatrit Eksperimental. Moderator i këtij takimi ishte aktori Alert Çeloaliaj, i cili bëri një ekspoze të të gjithë lëvizjes së artistëve prej datës 8 shkurt të këtij viti.

“Që atëherë është kërkuar nga SASE dhe SPAK, si një refren i përjavshëm, për 9 javë, një dialog i hapur, publik dhe gjithëpërfshirës për problemet që shqetësojnë artistët dhe më së shumti për godinën. Jemi të shqetësuar për fatin e këtyre dy institucioneve. Kemi ndërmarrë disa hapa. E fundit ka qenë një ftesë për 140 deputetët e të gjitha forcave politike. E njëjta procedurë u ndoq dhe në Këshillin Bashkiak. Kjo u bë që secili prej nesh të debatonte hapur”, tha Çeloaliaj.

Ai u bëri me dije deputetëve të pranishëm kërkesat e artistëve, që janë: “Ruajtje dhe rikonstruksion i Teatrit Kombëtar, statusin e kësaj godine dhe territorit ku qëndron, një ligj më të mirë për artin dhe kulturën, rritje të buxhetit të kulturës, që për fat të keq është më i ulëti në Ballkan”. Dhe pas kësaj ekspozeje dhe një rikujtim i asaj çfarë ka ndodhur në vitin 2002, kur nisi të diskutohej shembja e godinës së Teatrit Kombëtar. Më tej u ngjitën në skenë deputetët e opozitës si Grida Duma, Enkelejd Aliabeaj, Luan Rama, Ervin Salianji, Valentina Duka, Albana Vokshi, etj., si dhe këshilltarë bashkiakë. Të gjithë shprehën mbështetjen e tyre ndaj kësaj kauze, e cila nuk u takon vetëm aktorëve, por gjithë shqiptarëve.

“Kemi bërë detyrën tonë si të zgjedhurit tuaj. E kemi bërë me zemër dhe do jemi me ju deri në fund të kësaj historie, kemi thirrur ministren e Kulturës në dëgjesë për të bërë transparencën që nuk e ka bërë me ju. E ka refuzuar 5 herë. Ishim sot në komision për t’i thënë ndal hipokrizisë së një ministreje,që duhet të mbronte trashëgiminë dhe nga ana tjetër prish trashëgiminë kulturore”, tha deputetja dhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Informimin, Albana Vokshi.

“Jemi bashkë për të bërë një betejë publike”, tha Luçiano Boçi. Ndërsa deputeti Salianji, në emër të partisë ku bën pjesë, shprehu gatishmërinë të bëjë edhe akorde me qeverinë, madje me ironi u shpreh që do të “ligjëronin” edhe fitimet në xhepin e njërit apo tjetrit, vetëm që godina aktuale e Teatrit Kombëtar të mos preket.

Facebook Comments

MineralHygienics.com