Barcelona dhe Reali i Madridit e mbyllën në barazim 2-2 klasiken e fundit për këtë sezon, në javën e 36-të të La Ligës.
Edhe pse nuk luhej për objektiva konkretë në Spanjë, sfida ishte sa e nxehtë, aq edhe spektakolare.
Ishin vendasit ata që kaluan që në minutën e 10-të në avantazh, me një gol të bukur të Suarezit.
Por, festa zgjati vetëm 5 minuta, dhe Ronaldo barazoi shifrat për Realin.
Deri në fundin e pjesës së parë nuk pati më gola të tjerë, por për t’u veçuar momentet e tensionit mes lojtarëve të të dy ekipeve, ndërsa edhe Roberto u ndëshkua me karton të kuq.
Në të dytën, Barcelona nuk e uli aspak ritmin edhe me një lojtar më pak, por shënoi sërish me Mesin.
Reali arriti të reagonte, me Bejl, vetëm në minutën e 72-të. Deri në fund, nuk pati më gola dhe të dyja ekipet u ndanë në barazim, me nga një pikë për secilën.