Tarifat e celularëve u rritën me 3 për qind vitin e kaluar, teksa konsumatorët janë detyruar të paguajnë më shtrenjtë për të komunikuar në telefon. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare raportoi se e ardhura mesatare për minutë (ARPM), u rrit nga 2.53 lekë që ishte në vitin 2016 në 2.6 lekë vitin e kaluar.
Ky është viti i dytë rresht që tarifat e celularëve shënojnë rritje. Në 2016-ën, ato u shtrenjtuan me 7 për qind dhe nga 2.36 lekë që ishin në vitin 2015 arritën në 2.53 lekë.
Pas mbylljes së kompanisë vendase Plus, tre kompanitë e mbetura e kanë patur më të lehtë për të shtrenjtuar tarifat për qytetarët, ndonëse të ardhurat e tyre totale kanë rënë për shkak të uljes së thirrjeve hyrëse nga jashtë shtetit.
Rritja e tarifave ka sjellë edhe rëndimin e shpenzimeve që një shqiptar paguan për telefonin.
“Në vitin 2017 për herë të pare, pas disa vitesh, shpenzimet mesatare për përdorues shënuan rritje duke arritur ne 5,095 lekë/vit, nga 4750 lekë që ishin në 2016-ën” vëren AKEP.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri numërohen 3.2 milionë përdorues aktivë të celularëve, të cilët flasin mesatarisht 160 minuta në vit në celularët e tyre dhe përdorin mbi 2.06 giga internet. Për këto shërbime çdo shqiptar pagoi vitin e kaluar 5 095 lekë.
Miliona euro për telefonat
Sipas të dhënave nga AKEP, vitin e kaluar qytetarët shqiptarë shpenzuan 37 miliardë lekë ose mbi 290 milionë euro për shërbimet e telefonisë.
“Të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 vlerësohet të jenë 37 miliardë lekë, që përbën një reduktim me rreth 13% në krahasim me vitin 2016, kur të ardhurat ishin rreth 42.4 miliardë lekë,” raporton AKEP.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve të shqiptarëve për telefoninë, rreth 80% shkon për rrjetet celulare, ndërsa të ardhurat e gjeneruara nga rrjetet fikse përbëjnë vetëm 20% të të ardhurave totale të sektorit.