Nga dikur aleatë të ngushtë të paktën në fushën ushtarake, sot marrëdhëniet mes SHBA dhe Turqisë sa vijnë dhe përkeqësohen. Dhe kjo më së shumti si pasojë e qëndrimit të Erdogan në konfliktin e Sirisë dhe gjithë rajonin.
“Të gabuar” dhe “absurd” e quan Ministria e Jashtme turke propozimin e deputetëve të Kongresit Amerikan për të imponuar sanksione mbi sektorin e mbrojtjes. Ministri i Jashtëm turk ka paralajmëruar se qasja e SHBA ndaj kësaj çështjeje është e papërshtatshme për vendet aleate dhe se Ankaraja do të hakmerret, nëse shitjet e armatimeve amerikane për Turqinë do të ndërpriten.
Në një intervistë me CNN Turk, Mevlott Tsavusoglu tha se propozimi i paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve për pezullimin e përkohshëm të shitjes së armëve për Turqinë, përfshirë avionët luftarak F-35, është i gabuar dhe i paarsyeshëm.
Vlen të kujtohet se buxheti i mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara prej 717 miliardë dollarësh, të cilin Shtëpia e Përfaqësuesve publikoi të premten, parashikon ndër të tjera, një ngrirje të përkohshme të shitjes së armëve në Turqi.
Në veçanti, siç raportohet nga Reuters, Komiteti i Mbrojtjes i Kongresit pritet të diskutojë javën e ardhshme miratimin e të buxhetit të mbrojtjes dhe të shqyrtojë jo vetëm shpenzimet e mbrojtjes, por edhe se si do të përdoren paratë e buxhetit. Dhe e gjithë kjo me një vështrim ndaj konkurrencës me Rusinë dhe Kinën dhe mundësinë e ndalimit të shitjes së sistemeve të mbrojtjes në Turqi.
Ndër të tjera, përmes këtij projektligji, Komisioni i kërkon ministrisë së mbrojtjes t’i japë Kongresit një raport mbi marrëdhëniet SHBA-Turqi dhe të ndalojë shitjen e avionëve F- 35, ndaj Turqisë.
Edhe pse Turqia është aleate e SHBA në NATO, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Uashingtonit janë përkeqësuar kohët e fundit. Turqia, thotë Reuters, mbështet luftën amerikane kundër Shtetit Islamik, por është e zemëruar me mbështetjen e SHBA ndaj luftëtarëve kurdë në Siri.
Në të njëjtën kohë, SHBA është e shqetësuar për blerjen e sistemeve S-400 nga Rusia dhe bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të gjithë amerikanëve që mbahen në burgjet turke.