Një deklaratë e këngëtares Ronela Hajati në emisionin “Thumb”, bëri bujë në media, teksa shprehu dëshirën për të shkuar në Eurovision.
“E kam thënë që kam dëshirë të shkoj njëherë në Eurovision edhe ta tund. Por më e vështirë më duket këtu në Festivalin e RTSH-së sesa në Eurovision. Atje janë disa lloj njerëzish që kanë ngulur rrënjë që kur i ka vënë babi im në punë. Babi im ka vdekur tashmë duhen sjellë të rinj”, u shpreh Ronela.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i zëdhënëses së festivalit të kaluar të RTSH-së Kozeta Kurti, e cila i ka dhënë disa këshilla Ronelës. Kozeta në reagimin e saj shprehet se fillimisht Ronela duhet mësojë si të flasë në televizion, dhe të punojë si babai i saj.
Dëgjova Ronela Hajatin të thoshte në ‘Thumb’: ‘Në RTSH ka shumë njerëz që janë aty që kur babai im i ka vënë në punë. Tani babai im ka vdekur dhe duhet të kishin ikur edhe ata. “Së pari, mos thuaj për babain ‘vdiq’. Bëj në muzikë një të miliontën e tij. Se ai prandaj nuk ‘vdiq’ por u nda nga jeta’ dhe të gjithë kanë respekt për të, por historia as nuk nis, as nuk mbaron me të ndjerin babanë tënd. “Këtë vit është në Eurovizion këngëtari më i mirë që ka prodhuar ndonjëherë ky vend e babai yt do ta kishte duartrokitur i pari atje, nga rreshti i drejtorëve dhe do të kish qenë krenar për ‘të lashtët’ apo ‘të njomët’ që e votuan e duartrokitën këngën ‘Mall’
“Së dyti, Ronel’, bën shumë mirë që e aspiron Festivalin Europian, se të paktën ëndrrat pa lekë i kemi, por mere në konsideratë një këshillë: Prit Ronel’! Mëso të flasësh në television, mëso të mos e quash punën tënde ‘gjëja’, mëso të kesh etikë, mëso të kuptosh kur gabon dhe reflekto, pastaj aty është edhe Europa.
Vetëm se… ‘A do të jenë më ata të lashtët që duhet të ishin larguar që pas ikjes së babait tënd apo në një rast si ky, janë ata që më në fund u treguan zotërinj e bënë zgjedhjen më të mirë? Përqafime nga unë”, shkruan Kozeta.