Në Shqipëri, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, nën hetim për dyshimet se ka patur lidhje me një grup trafikantësh të marijuanës, njoftoi sot tërheqjen e tij si deputet dhe dorëzimin e mandatit. Gjatë një komunikimi me mediat, dhe përmes një fjalimi të gjatë zoti Tahiri e shpjegoi vendimin e tij me faktin se “unë nuk jam njëri nga rraca e atyre që rri në parlament për pazar a për shpëtim. Deri kur të zbardhet e vërteta e plotë, unë nuk do jem deputet por një qytetar i thjeshtë si mbi 2 milion shqipëtarët e tjerë”, theksoi zoti Tahiri duke shtuar se “si qytetar i thjeshtë, vetëm me të drejtën time, familjen, miqtë e të gjithë ata që besojnë ende tek mua, do përballem me prokurorinë, gjykatën, drejtësinë dhe ligjin. Siç do përballem me palaçot në politikë që kanë vjedhur këtë popull e sot shesin dëngla, e nuk do dorëzohem për asnjë çast”.
Ish ministri i Brendshëm u vu nën akuzë nëntorin e shkuar, për dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i tij përmendet disa herë në bisedat mes trafikantëve.
Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë, refuzoi kërkesën duke pretenduar se ajo nuk kishte paraqitur asnjë provë. Qëndrimi i shumicës dhe veçanërisht i kryeministrit Edi Rama, i cili kishte qenë një mbrojtës i flaktë i zotit Tahiri, edhe kur gjatë vitit 2016 fenomeni i kultivimit të marijuahës mori një përhapje masive, u pa gjerësisht si një mbrojtje që ju ofrua ish ministrit. Opozita e ktheu këtë çështje në një kalë të betejës së saj politike, due lëshuar akuza të forta ndaj tij. Ish ministri i Brendshëm tha sot se e konsideron të papranueshme “të dëgjoj që ma bëjnë gjyqin kjo rracë që me politikë ka vjedhur e prej politikës nuk është ndëshkuar….Nuk e pranoj për askënd e asgjë, kurrë. As fshihem pas parlamentit, as rri në parlament për të marrë rrogën kot, as për ti bërë hije ndokujt, as për të kapur ndonjë tender a ca lekë, dhe aq më pak për të pasur paprekshmëri”. Ai shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe “kam duruar, kështu duke dëgjuar e nuk kam folur, për të respektuar të vërtetën time dhe drejtësinë. Ndaj kam heshtur. Por – theksoi ai – po e them thjeshtë; në qoftë se ka njeri që heshtjen time në respekt të drejtësisë e ka marrë për nënshtrim, për dobësi, për frikë apo dorëzim, nuk më keni njohur fare ndaj rimendojëni e bëjini llogaritë nga e para”.
Me vendimin e sotëm për të dorëzuar mandatin, zoti Tahiri nuk ka më asnjë lloj mbrojtje kundrejt çdo mase që prokuroria do të mund të kërkonte ndaj tij. Mes ish ministrit dhe prokurorëve tani qëndron vetëm gjykata. VoA