Një Maji në Shqipëri është festë zyrtare dhe me ligj duhet të ishte pushim, për të gjithë të punësuarit, të paktën për ata që figurojnë të legalizuar dhe paguajnë siguracione. Por edhe kjo festë nuk i ka shpëtuar, absurditetit shqiptarë. Nëse bën një vëzhgim të shpejtë në vendin tonë, çdo 1 maj, puna vazhdon si në ditët e tjera normale dhe pushim e bëjnë vetëm zyrtarët e shtetit.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, në vende perëndimore të botës nuk cilësohet asnjëherë si festë, edhe pse të drejtat dhe pagat e tyre janë vite dritë larg nga ato të punëtorëve shqiptarë. Një Maji në këto vende, karakterizohet nga protesta të lëvizjeve sindikale që luftojnë për të drejtat e punëtorëve.
Që në lindje kjo “festë” lindi si rrjedhojë e protestave të punëtorëve që kërkonin rritjen e të drejtave të tyre në lidhje me orarin e punës, që duhet të ishte 8 orë. Falë protestave u arrit që më 1866 në Ilinois të SHBA-ve të miratohej ligji që u njihte punëtorëve të drejtat e tyre.
Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882. Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës.
Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.
Kurse në Shqipëri, kjo ditë u shndërrua në festë zyrtare pas çlirimit dhe nga regjimi u kthye në një festë me marshime të klasës punëtore dhe piknikë të popullatës.