Javën e kaluar mundi Juventusin në transfertë, duke ngushtuar në vetëm 1 pikë diferencën në krye të renditjes së Serie A, por Napoli dështon sot, kur asnjë nuk e priste.
Në fushën e Fiorentinës napoletanët gabojnë, duke u mundur 3-0, por më tepër se humbja e një ndeshjeje për ekipin e shqiptarit Elseid Hysaj duket humbja e titullit kampion.
Tashmë diferenca me bardhezinjtë shkon në -4 pikë, kur janë edhe tre ndeshje për t’u luajtur, çka do të thotë që ëndrra për titullin thuajse ka përfunduar.
Napoli sot humbi një shans të artë, për të ruajtur në ekuilibër garën me Juven, teksa ishte Simeone i cili me tre gola ndëshkoi napoletanët, duke i bërë indirekt nder “Zonjës së Vjetër”.