Kuvendi Kombëtar i PD ka mbyllur punimet e tij duke miratuar në mënyrë unanime dhe me ovacione të forta, Statutin e ri të partisë. Pasi u shqyrtua nen për nen dhe u hodh në votim çdo propozim, Statuti i ri mori miratimin në tërësi.
Pika e fundit që u hodh në votim ishte neni 52, për të cilin qe paraqitur një propozim nga z. Genti Malko dhe që për t’u futur në votim, u mbështet si procedurë nga kryetari i PD, Lulzim Basha; Basha përdori të drejtën e tij si kryetar për ta vlerësuar propozimin dhe përfshirë.
Në propozimin e z. Malko thuhej që çdo kandidat për kryesinë qendrore të ishte anëtar partie jo më pak se 4 vjet dhe të kishte marrë pjesë së paku në një fushatë zgjedhore. Jemin Gjana, i cili drejtoi punimet e Kuvendit, e hodhi në votim pasi u sqarua se Basha e kishte mbështetur këtë propozim për t’u përfshirë në aspektin procedurial, por propozimi nuk pati miratimin e delegatëve.
Në përfundim, Gjana e hodhi në votim të gjithë projektstatutin, në tërësi, i cili i mori të gjitha votat e nevojshme. ” Zonja dhe zotërinj delegatë, urime për ju dhe për të gjithë demokratët kudo që janë, urime për statusin e ri,” e mbylli Kuvendin, kryetari i Komisionit, mes ovacioneve.