November 27, 2024

Jeta e varfër e banorëve në kufi me tollin e koncesionit Durrës-Kukës

Fshati Truall i Surroit, që lindi nga ndërtimi i autostradës Durrës-Kukës rrezikon të rikthehet në izolim një dekadë më pas nga tarifa e kripur koncesionare që u kërkohet banorëve të varfër për çdo udhëtim drejt Kukësit.

Tre ditë pas lirimit nga burgu i Vaqarrit, Shkëlqim Vata pret e përcjell të afërm në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen Truall të Surroit në bashkinë e Kukësit-vetëm 2.5 kilometra larg stacionit të djegur të pagesave të kompanisë koncesionare në autostradën Milot-Morinë.

Babai i gjashtë fëmijëve qëndroi 20 ditë në qeli, i akuzuar për shkatërrim prone gjatë protestës së 31 marsit dhe pas vendimit të lirimit nga Gjykata e Apelit të Shkodrës, po përpiqet të fitojë kohën e humbur me punët e prapambetura në bujqësi.

Familja prej tetë anëtarësh e Vatës nuk ka asnjë person të punësuar dhe mbijeton me ndihmë ekonomike prej 5800 lekësh në muaj. Hyrja në fuqi e tarifës 10 euro për një udhëtim vajtje-ardhje në Kukës e irritoi kryefamiljarin, i cili njësoj si fqinjët e tij iu bashkuan protestës së 31 marsit.

“Arsyeja e protestës ishte  taksa e papërballueshme për ekonominë tonë familjare, madje e paimagjinueshme,” thotë prerazi Shkëlqim Vata për BIRN.

“Kjo është rruga që na ka nxjerrë nga izolimi. Më parë bënim 45 kilometra për të shkuar në Kukës, ndërsa tani shkojmë për 7-10 minuta. Vendosja e traut na izoloi sërish dhe thuajse kaluam në depresion,” shton ai.

Lagjia Truall e zonës së Surroit, e shtrirë në verilindje të autostradës Milot-Kukës dhe e njohur historikisht si vend ku barinjtë ndërtonin stanet e bagëtive të imëta, nisi të popullohej pas viteve ’90 dhe numëron sot rreth 15 shtëpi. Për thuajse dy dekada kjo ishte një ndër zonat më të izoluara në Shqipëri, pasi banorëve u duhej të përshkruanin 45 kilometra rrugë për të mbërritur në qytetin e Kukësit.

Kantieri për ndërtimin e autostradës dhe përfundimi i saj në vitin 2009 gjallëroi jetët e banorëve të varfër dhe e nxorri fshatin nga izolimi duke e lidhur me Kukësin për 10 minuta. Por thuajse një dekadë më pas, banorët rrezikojnë t’u kthehen vështirësive të kohëve të vjetra.

Image

Vendimi i vitit 2016 i qeverisë “Rama” për dhënien me koncesion të rrugës Milot-Morinë u reflektua te banorët e Truallit në fund të marsit, kur kompania koncesionare mbylli hyrje-daljet poshtë një ure dhe vendosi traun, duke mos u lënë atyre asnjë rrugëdalje.

Një vendim i tillë konsiderohet absurd nga banorët e varfër, të cilët kërkojnë me ngulm përjashtimin nga çdo lloj tarife.

Banorët e Truallit me të cilët BIRN bisedoi thanë se fëmijët e tyre nga klasa e pestë dhe deri në gjimnaz janë të detyruar të udhëtojnë çdo ditë drejt Kukësit. Njëherazi, edhe ekonomia e tyre familjare lidhet direkt me këtë qytet, që nga shitja e bagëtive apo e qumështit  si dhe çdo punë tjetër që ata kanë.

“Të gjitha veprimet ne i kemi me Kukësin si shkollë, spital, certifikatë, pazar, gjykatë, prokurori, bashki…Vendosja e taksës për ne ishte një absurditet,” tha për BIRN Sulejman Vata, një tjetër banor i zonës.

Pa rrugëdalje

Në fund të vitit 2016, qeveria shqiptare vendosi të japë me koncesion mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë, duke sanksionuar njëherazi një tarifë 5 euro me TVSH për një kalim për përdoruesit e rrugës. Tarifa për makinat e tonazhit të rëndë shkon deri në 22 euro. Kompania koncesionare, Albanian Highway Concession, e cila zotërohet 50 me 50 nga kompanitë shqiptare “Kastrati Group” dhe “Salillari”, ndërtuan stacionin e pagesave dhe e vunë atë në funksion në fund të masit.

Ky veprim u prit me zemërim dhe protesta nga banorët e Kukësit-një ndër zonat më të varfra në Shqipëri, të cilët pas përplasjes me policinë i vunë zjarrin vendpagesave.

Koncesioni i rrugës Milot-Morinë nuk është i pari i kundërshtuar nga banorët e lagjes Truall të Kukësit. Ndërkohë që e sigurojnë jetesën përmes mbarështimit të bagëtive të imëta, ata janë përfshirë disa herë në protesta kundër kompanive koncesionare të mineraleve, të cilat i akuzojnë për shkatërrimin e dhjetra hektarëve pyje dhe kullota si dhe për dëmtimin e ekonomive të tyre familjare.

Por ndërsa një pjesë e banorëve ishin ende duke paguar çmimin për protestat e mëparshme, dikush në shërbim prove e dikush i dënuar me gjobë, një problem edhe më i madh u mbiu në derë.

Si vendbanimi më i afërt me stacionin e pagesave të koncesionarit, banorët e Truallit ishin të parët që e provuan në kurriz tarifën e kripur. Dhe jo për të shkuar në Tiranë, por për të çuar fëmijët në shkollë apo kryer punët ditore në Kukës.

Sulejman Vata, ish-sekretar në komunën e dikurshme të Surroit, i cili njësoj si Shkëlqimi iu bashkua protestës, i tha BIRN se dy ditët e aplikimit të taksës e futën atë në listën e borxhlinjve ndaj koncesionarit.

“Për dy ditë kam paguar 900 lekë se nuk kisha më të paguaja, ndërsa përfaqësuesi i pagesës më tha që ke afat 20 ditë të paguash të prapambeturat…,” i tha ai BIRN në oborrin e shtëpisë së tij.

Behar Vata, një ish-ndërtues i tunelit të Kalimashit përjetoi një episod të ndryshëm nga fqinji i tij, Sulejmani në përballjen me punonjësit e kompanisë koncesionare. Ai i tha BIRN se kishte debatuar me punonjësin e kompanisë për 10 lekë, pasi ky i fundit pretendonte se kishte ndryshuar kursi i euros në drekë dhe se duhej të paguante më shumë.

“Kemi qenë të falimentuar, por ndertimi i rrugës na bëri me pak para. Kam punuar në ndërtimin e tunelit të Kalimashit tre vjet në ballë të punës. Me ato para që fitova ndërtova shtëpinë”, thotë Behari.

“Në qoftë se na bëhen bllokada të tilla ne jemi shumë në hall. Jeta është shumë e vështirë këtu. Nëse nuk na jepet e drejta ne jemi të vdekur,” shton ai.

Sërish në protesta

Protesta e 31 marsit kundër tarifës së rrugës, e cila çoi në pranga 23 banorë të zonës ka lënë ende gjurmë në lagjen Truall. Një pjesë e protestuesve, mes të cilëve edhe Shkëlqim Vata sapo janë liruar nga burgu, ndërkohë që banorët bëjnë thirrje për lirimin e 4 të burgosurve të fundit.

Shkëlqim Vata i tha BIRN se nuk kishte asnjë rrugë tjetër veç protestës dhe se nuk ishte bërë pishman për 20 ditët që kaloi në qeli. Megjithatë, ai denoncon sjelljen e policisë gjatë arrestimit të tij, për të cilën tregon se 30 forca speciale i rrethuan shtëpinë në orën 3.00 të mëngjesit të 1 prillit dhe e dërguan pa dijeninë e tij në Tiranë.

Image

“Kanë ardhë në shtëpinë time dhe i kanë ra derës me shkelma… Pasi kam dalë jashtë, i kam kërkuar inspektorit  të zonës që të paraqitej kryeplaku I fshatit dhe përse keni ardhur natën në shtëpi. I kam kërkuar edhe urdhër arrestin e prokurorit, por nuk më janë përgjigjur,” kujton më tej ai.

Vata i tha BIRN se fillimisht e dinte që do t’a çonin në komisariatin e Kukësit, por më pas e kanë çuar te tolli i djegur, ku sipas tij policia mblodhi 23 të arrestuarit. Ai shton se nga ora 7 e mëngjesit e deri në tetë e gjysmë të darkës askush nuk ishte marrë me ta, ndërsa akuzon policinë se i kishte lënë pa ujë dhe ushqim për orë të tëra.

“Protesta ishte e ligjshme. Unë sërish do protestoj për të drejtat e mia ekonomike sa herë të jetë e nevojshme. Unë nuk jam  për dhunë, por  për punë. Në protestë na nxorri halli dhe jo politika,” tha Shkëlqim Vata. “Për 20 ditë burg që kam ba nuk jam hiç pishman”, shtoi ai.

Banorët e Truallit, njësoj si edhe ata të Kukësit i mbajnë sytë nga përfundimi i negociatave të qeverisë me kompaninë koncesionare për përjashtimin e tyre nga tarifa e rrugës. Pas protestës së dhunshme, kryeministri Rama deklaroi se nuk do të aplikohej pagesa pa gjetur një zgjidhje për banorët e Kukësit, megjithëse e përjashtoi mundësinë e zerimit të tarifës për ta.

Por banorët e fshatit Truall i thanë BIRN se edhe tarifa që po diskutohet prej 2 mijë lekësh është një barrë e rëndë për ta dhe do t’i detyrojë sërish t’u rikthehen protestave.

“Kërkoj që kjo lagje duhet të ketë tarifën zero. Nëse taksohen të gjitha rrugët për të hyrë në qendrat administrative të Shqipërisë,  atëherë edhe mua të më taksojë. Unë këtu kam lindur,” tha Sulejman Vata, një votues i majtë që ende shpreson me gjysmë zemre që kryeministri do ta zgjidhë këtë punë.

“Por premtimet e Ramës nuk po gjejnë zbatim në bazë. Unë nuk po i përjetoj ato çfarë thotë dhe premton kryeministri,’ përfundon i zhgënjyer. Shkruan syri.net

Facebook Comments

MineralHygienics.com