November 27, 2024

Avokati amerikan: Bashkimi me bashkëshortin kur gruaja ka ‘Green Card’

Çështje të Emigracionit: Avokati Kieran Both u përgjigjet letrave të lexuesit:

E.Q. nga Shqipëria na ka dërguar këtë letër:

Përshëndetje Z. Both.

Gruaja ime ka “green card” dhe ka bërë dokumentat për bashkim familjar, dmth për mua që jam këtu. Pyetja ime është kjo: A mund të rrijë këtu, (në Shqipëri) gruaja për disa kohë, derisa të na afrohet data   e bashkimit familjar? Sa zgjat ky proces? Ju falenderoj dhe uroj një ditë të mbarë.

Përgjigje: Faleminderit për leximin e rubrikës sonë. Procesi do të qe më i shkurtër në kohë nëse gruaja juaj do të qe shtetase amerikane. Qëndrimi i saj në Shqipëri mund të sillte komplikime sidomos për një kohë të gjatë. Gjatësia e kohës së pritjes për ju varet nga data se kur ajo ka bërë kërkesën për ju ( Formulari I-130, Alien Relative Petition). Kjo datë është shënuar në letrën konfirmuese që ajo ka marrë nga Shërbimi i Emigracionit. Quhet “ Priority Date”.

Meqë gruaja juaj ka statusin e rezidentes permanente, pra ka “green card”, atëhere kërkesa e saj për ju specifikohet  në kategorinë e preferencave që shënohet : F2A. Kjo kategori përfshin bashkëshortin  dhe fëmijët e pamartuar të rezidentes permanente të SHBA. Qëndra nacionale e vizave (NVC) ka filluar të merret me aplikimet e  kesaj kategorie që janë dorëzuar në  Emigracion  në 22 Shtator 2017. NVC do të njoftojë aplikantët për vizën e emigrantit dhe sponsorin që ka firmosur “affidavit of support” për të. Me t’u paguar pagesa e duhur(fee) atëhere aplikanti dhe sponsori duhet të paraqesë dokumentat e nevojshme për vizën.  Gjithkush që emigron mbi baza familjare duhet të ketë një sponsor financiar. Dokumentat do të shkojnë në Shqipëri vetëm kur viza të jetë gati.

NVC do t’i njoftojë palët  paraprakisht,  në mënyrë që kur viza të jetë gati, dokumentat të jenë kompletuar gjithshtu. Për kohën që flasim  janë gati vizat  për aplikimet e bëra në 1 Qershor 2016, ose  më përpara. Ju ka të ngjarë  të prisni së paku 22 muaj nga data e aplikimit para se t’u vijë koha e intervistës për të marrë vizën e emigrantit. Pasi NVC vendos që dosja juaj është plotësisht gati do të planifikojë ditën e intervistës dhe e çon atë(dosjen)në ambasadën amerikane. Ju dhe bashkëshortja juaj do të merrni njoftim nëpërmjet adresës së e-mail nëse keni një të tillë, ose nëpërmjet postës, si edhe udhëzimet për ekzaminimet mjeksore . Ju duhet të hyni në SHBA para se t’u skadojë data. Duhet të paguani gjithashtu $165 , (pagesa për vizën) para se të udhëtoni për Amerikë. Emigracioni nuk do t’u nisë dokumentin e rezidentit permanent(green card-ën)  nëse nuk keni bërë pagesën.

Pasojat e udhëtimeve  të  gjata për rezidentët permanent

Udhëtimet jashtë SHBA të rezidentëve permanentë  mund të kenë pasoja për ta, veçanërisht nëse ata mendojnë që në të ardhmen duan të bëhen shtetas amerikanë. Ai/ajo/ që ka green card mund të ndeshet me probleme me Emigracionin pas një udhëtimi të gjatë jashtë SHBA. Mund të mendohet që ai/ajo/ e ka braktisur Amerikën, kjo veçanërisht nëse udhëtimi ka qënë më shumë se një vit. Udhëtimet më pak se një vit japin  dyshimin se personi nuk ka ndërmend ta bëjë Amerikën si rezidencën e vet. Nesë rezidenti permanent ka plan të qëndrojë më shumë se një vit jashtë SHBA, atëhere para se të niset për udhëtim duhet të kërkojë nga Emigracioni ta lejojë rihyrjen e tij/saj/  në këtë vend. Nëse do qëndronte dy vjet jashtë, leja e marrë do të skadonte.Në raste të tilla është e këshillushme që të aplikonte për vizë rikthimi  në SHBA(SB-1) në ambasadën  amerikane më të afërt.

Udhëtimet ndërkombëtare mund të shkaktojnë probleme edhe për bashkëshorten/bashkëshortin nëse ka për qëllim marrjen e shtetësisë amerikane. Natyralizimi kërkon që aplikanti të ketë jetuar në mënyrë të vazhdueshme në SHBA për 5 vjet, ose 3 në rastet e bashkëshorteve shtetas amerikan. Mungesa e aplikantit në Amerikë  mund të ndërpresë kërkesën për vazhdimësi të rezidencës në SHBA. Aplikantit i kërkohet të jetë fizikisht në këtë vend  të paktën 30 muaj brenda 5 vjeteve para aplikimit ose 18 muaj brenda tre vjeteve nëse aplikanti është bashkëshort i shtetasit amerikan.

Ka mjaft  për të folur lidhur me këtë aspekt, të cilit do t’i rikthehemi në të ardhmen. U inkurajojmë të këshilloheni me avokatë profesioniste të emigracionit. Informacion do të gjeni gjithashtu ne adresën e Emigracionit  në internet tek www.uscis.gov/Illyria

Facebook Comments

MineralHygienics.com