Shakaja pa kripë e dhëndrit në altar ka çuar në anulimin e martesës dhe rritjen e tensionit mes të pranishmëve në dasmë. Ngjarja e çuditshme ka ndodhur të distriktin Turgutlu të Manisas në Turqi, ku pyetjes nëse e pranonte Hatice Ko?manin për grua, Turgut Dinçer Guner iu përgjigj me shaka “jo, është e pamundur të them. Sigurisht që po”.
Kjo përgjigje është marrë si refuzim dhe deklarim i paqartë nga përfaqësuesi i bashkisë për celebrimin e çiftit, Ali Akça, i cili anuloi martesën.
Akça nuk ndryshoi mendim as pas këmbënguljes së madhe të nuses, dhëndrit dhe të të ftuarve në dasmë. Mosbindja e përfaqësuesit të bashkisë për të celebruar çiftin rriti tensionin në sallonin e dasmës, çka solli edhe ndërhyrjen e forcave të policisë. Por, Akça nuk u bind as nga këta të fundit dhe celebrimi është shtyrë për një datë të pacaktuar.
Pas mediatizimit të madh, në këtë çështje ka ndërhyrë edhe kryetari i bashkisë së distriktit Turgutlu, Turgay ?irin, i cili tha se celebrimin e dy të rinjve do ta kryejë personalisht. “Ditët në vijim shpresoj që atë celebrim ta kryej personalisht dhe çështja të përfundojë me një fund të lumtur.”
Duke justifikuar edhe përfaqësuesin e bashkisë që ka anuluar celebrimin, Kryebashkiaku tha se tek këto çështje është e rëndësishme që deklarimi i çiftit të jetë i qartë dhe i paekuivok./tvklan