Policia dhe Prokuroria ende nuk i dinë arsyet e vonesës së raportimit të rastit, pas shpërthimit në restorantin i cili gjendet në rrugën Mitrovicë- Leposaviq, ndërkaq ekspertët e sigurisë thonë se kjo tregon mos respektimin e hierarkisë në atë pjesë.
Një shpërthim në restorantin “Simonida” i cili gjendet në rrugën Mitrovicë- Leposaviq ka ndodhur të shtunën në ora 11:00, por rasti ishte lajmëruar me vonesë në ora 20:40.
Pavarësisht që gjatë shpërthimit nuk ka pasur të lënduar, përveç dëmeve të vogla materiale, Policia është duke hetuar rastin përse është raportuar me vonesë.
“Është raportuar me vonesë për çështjen e transportuesve, qa ka pasur aty fshehur e pse, kjo mbetet të shihet. Sigurisht që Policia në bashkëpunim me Prokurorinë do të trajtojnë në mënyrën e vet. Policia dhe Prokuroria do të hetojnë sigurisht këtë vonesë dhe do të trajtojë si vepër në veti”, thotë zëvendës komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Alarmi i ekspertëve
Ndërkaq, ekspertët e sigurisë thonë se lokacioni ku ka ndodhur shpërthimi, është përdorur për struktura të ndryshme politike, kësisoj edhe ky sulm mund të jetë për ndonjë grup të interesit.
Ata thonë, se rastet të tilla janë përvojë e keqe dhe përgjegjësit duhet të gjinden.
Profesori Avni Islami, thotë se përpjekjet e eprorëve policorë për fshehjen e rasteve, janë një sinjal jo i mirë.
Sipas Islamit, eprorët policorë duhet të respektojnë hierarkinë qoftë komanduese, por edhe llogaridhënien dhe në rastin e fundit duhet dikush të marrë përgjegjësi.
“Incidentet e fundit që kanë ndodhur, nuk janë të vetme e të izoluara, sepse atje vazhdimisht në periudha të ndryshme dhe të sinkronizura po ndodhin. E përpjekjet për fshehjen e rasteve nga ana e eprorëve policorë është një sinjal jo i mirë, kjo rezulton të jetë se ata nuk po e respektojnë hierarkinë qoftë komanduese, por edhe në llogaridhënie. Në rastin e fundit, do të duhej që dikush të shkonte në përgjegjësi dhe raste të tilla nuk do të duhej të ndodhin, sepse kjo do të ishte përvojë e keqe edhe për të ardhmen e funksionimit të llogaridhënëse nga baza e deri te drejtori i Policisë së Kosovës”, thotë Islami.
Ndërsa, eksperti i sigurisë Drizan Shala, tregon se lokacioni në të cilën ka ndodhur shpërthimi, është përdorur nga strukurat e ndryshme politike.
Sipas Shalës, dyshohet që ai lokacion i përket strukturave “ilegale” të sigurisë dhe është jashtëzakonisht i frekuentuar nga akterët e komunitetit serb në atë pjesë.
Dyshimet
Për shkak se lajmërimi i rastit është në një diferencë 10 orëshe, sipas Shalës, kjo lënë hapësirë të mendohet se rasti nuk ka të bëjë me pronarin e objektit, por ndaj ndonjë grupi të interesit.
“Lidhur me shpërthimin në atë restorant “Simonida” është një lokacion që është përdorur nga strukturat e ndryshme politike dhe dyshohet edhe atyre të strukturave “ilegale” të sigurisë dhe është jashtëzakonisht i frekuentuar nga akteret e komunitetit serb në atë pjesë. Nga kronologji e rastit mund të supozohet që nuk ka ndodh shpërthim mbi pronarin e objektit, por ndoshta ndaj ndonjë grupi të interesit në atë pjesë, sepse shpërthimi deri te lajmërimi i rastit kemi një diferencë 10 orëshe dhe kjo lënë hapësirë për dyshim që sulmi ishte i dedikuar për ndonjë individ apo grupacion të karakterit politik apo biznesor të llojit kriminal. Sepse edhe në të kaluarën ky restorant është përdorur nga strukturat paralele të shtetit të Serbisë që kanë operuar në atë pjese thuhet në qarqe të ndryshme të sigurisë ndërkombëtare”, pohon Shala.
Para shpërthimit në restorantin “Simonida”, po të shtunën në mëngjes në Mitrovicë dy policë pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative janë përfshirë në një përleshje.
Inspektorati Policor ka suspenduar njërin prej këtyre policëve për 48 orë, ndërsa polici tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Hoti: Suspendimi i policëve nuk ka lidhje me shpërthimin
Zëvendëskomandati i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se suspendimi i policëve nuk ka lidhje me shpërthimin.
“Shpërthimi në restorantin “Simonida”, nuk ka lidhje me policët, ajo është një çështje krejtësisht tjetër dhe nuk ka lidhje absolutisht asgjë me rastin e fundit”, deklaron Hoti për “Bota sot”.
Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, nuk parasheh ndonjë lidhje në mes të shpërthimit afër restorantit dhe suspendimit të policëve.
“IPK ka suspenduar një efektiv të NjSO për 48 orë dhe kjo tregon që nuk kemi këtu lidhje me rastin e parë në as një mënyrë dhe duhet të priten hetimet nga IPK-ja në rastin në fjalë për të nxjerrë të vërtetën e përleshjes fizike të efektivit të NjSO-së. Policia e Kosovës është e koordinuar në strukturën e saj në terr territorin e vendit edhe në pjesën veriore ka funksionalizim të hirarkisë komanduese si në nivelin vertikal, por edhe atij horizontal”, thekson Shala.
Shpërthimet në Mitrovicën e veriut janë tejet të shpeshta dhe shpeshherë autorët nuk janë gjetur.