Të ftuar sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, tek “E diela shqiptare”, ishin Gazmori dhe Greta, një çift që jetojnë në Greqi, por që kanë lënë në Shqipëri prej 4 vitesh vajzën e tyre, Gledia. Pas 4 vitesh sakrificë duke punuar për t’i siguruar Gledias një jetë sa më të mirë, Gazmori dhe Greta janë gati për ta marrë vajzën me vete në Greqi dhe këtë lajm ja dhanë sot tek “E diela shqiptare”.
“Ne jemi martuar para 9 vjetësh. Kur Greta ishte 4-muajshe shtatzënë, unë ika në Greqi. Lindi Greta erdhi në jetë princesha jonë. Unë nuk isha aty për t’i dëgjuar zërin, të qarat e para dhe ky ka qenë momenti më i vështirë. Nuk e ndjeva atë që duhet të ndjejë një baba. Askush nuk duhet ta humbë atë çast. Është momenti më i bukur i jetës së një personi”, u shpreh Gazmori.
Ai tregoi se kur u kthye në Shqipëri, gjendja ekonomike vështirësohej më shumë dhe u detyrua të rikthehej në Greqi. Kur vajza e tyre bëri 3 vjeç, edhe Greta iu bashkua Gazmorit në Greqi për të punuar dhe e la Gledian me gjyshen.
“Sot do t’i premtoj Gledias që do ta marr përfundimisht në fund të këtij viti shkollor, duke qenë se unë kam krijuar kushtet e duhura ekonomike për ta marrë”, tha Gazmori.
Gledia erdhi në studio me gjyshen e saj, por nuk e priste fare që prapa murit do ishin prindërit e saj. Vogëlushja buzëqeshi kur në ekran i dolën prindërit.
“Gledia, shpirt kemi ardhur këtu për të të dhënë një mesazh, për të të thënë më fal. Të lamë katër vite nuk të dhuruam atë dashuri që kishim, që duhet të të jepnim. Nuk të ishim pranë në vitet më të bukura që ti kalove. Na fal për gjithçka, por të gjitha këto i kemi bërë që ti të rritesh në kushte sa më të mira. Të pata premtuar që do të marr të jetosh me ne në Greqi dhe më në fund erdhi momenti. Sapo të mbarosh shkollën do vish të jetosh me ne, të jetojmë një familje bashkë”, i tha Gazmori të bijës.
E pyetur nga Arditi, Gledia e vogël pohoi se do të mërzitet që do e lërë gjyshen, shoqet, shkollën, por nga ana tjetër do jetë e lumtur që do jetojë me mamin e me babin.
“Të kërkoj falje për çdo gjë. Të gjitha i kam bërë për të mirën tënde. Erdhi dita që do jemi bashkë dhe s’do ndahemi kurrë. Të dua shumë, shumë, shumë”, i tha Greta me lot në sy Gledias.
Por edhe gjyshja e përlotur tha se uron që ata të kalojnë një jetë të lumtur. “Kur ata janë mirë edhe unë jam mirë”, u shpreh ajo.